Ministria e Administratës Publike (MAP) në bashkëpunim me OJQ Iniciativa për Progres (INPO), gjatë ditës së sotme kanë mbajtur debatin publik konsultativ për pakon e ligjeve të reformës së administratës shtetërore, përkatësisht: Projektligji për Administratën Shtetërore; Projektligji për Zyrtarët Publik si dhe Projektligji për Pagat.
Në hapjen e këtij debati publik Albulena Ndrecaj, drejtoreshë e organizatës “Iniciativa për Progres” (INPO), ka thënë se këto tre projektligje kanë një rëndësi të veçantë për reformimin dhe modernizimin e administratës publike me qëllim ngritjen profesionale të saj, rritjen e llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.
Në këtë debat publik morën pjesë edhe kryetarët, por edhe nënkryetarët e komunave të Rajonit të Ferizajt, siç është Kaçaniku, Hani i Elezit, Shtimja dhe Shtërpca.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur se edhe Komuna e Ferizajt është e shquar që të prijë dhe të ketë reforma për të mirë, në të mirë të Republikës së Kosovës, si qyteti më i ri e që ka ecur më së shumti.
“Besoj që shembulli i Ferizajt është shembull për të ndjekur sepse gjithmonë ka sjell të reja që gjithmonë kanë shërbyer pastaj për gjithë Republikën e Kosovës. Përfundimisht duhet të kemi një pako dhe një zgjidhje sa i përket çështjes së administratës dhe reformës në përgjithësi sa i përket administratës shtetërore. Administrata është sfidë kudo në botë, është sfidë në shtetet demokratike, madje shpesh nuk mund të gjendet ai çelësi magjik ta quaj kushtimisht për të bërë ligjet më adekuate sa i përket reformave respektivisht shërbimeve më të mira të administratës”, ka thënë Aliu.
Tutje, Aliu, ka paraqitur edhe praktikën që ka instaluar gjatë kësaj periudhe qeverisëse, e të cilat mund të shërbejnë si model edhe për komunat tjera sa i përket riorganizimit të stafit punonjës në administratën komunale.
“Paraprakisht, kam marr vendim për vlerësimin e nevojave të administratës që ka komuna jonë, përkatësisht vlerësimin e vendeve të punës, një proces i ndërmarr ekskluzivisht në nivel komunal me qëllim që të plotësojmë boshllëqet që krijohen në disa prej shërbimeve tona. Ky proces ka rezultuar me vendosjen e punonjësve të administratës komunale në shërbimet ku janë adekuat dhe efikas në ofrimin e tyre. Gjithë këtij procesi i kemi paraprirë me një analizë të hollësishme nga departamenti dhe zyrat tonë të punonjësve të administratës. Jam i vendosur që edhe në kuadrin institucional në nivel të qeverisjes lokale të vendos rend dhe rregull në shërbimet tona ndaj qytetarëve. Me gjithë telashet e shumta që kemi, sidomos për shkak të moshës së vjetër të disa prej punonjësve të administratës komunale, megjithatë me riorganizimin që theksova më lartë kemi arritur t’i përmbushim objektivat tona. Politikat administrative në nivel lokal tashmë me këtë pako ligjore do të kenë mbështetjen e duhur ligjore dhe ecjen përpara drejt reformës së mirëfilltë administrative. Me këtë rast, dua të përgëzoj burrat e gratë që punuan dhe po punojnë vazhdimisht në hartimin e politikave të tilla”, ka potencuar Aliu.
Çështje tjera që Aliu theksoi në këtë diskutim publik si shqetësim të nivelit lokal, përkatësisht Komunës së Ferizajt ishte edhe koeficienti i ulët i punonjësve të sektorit të gjendjes civile, njoftoi gjithashtu se ka nisur procesi i hartimit të organogramit të ri të Komunës së Ferizajt sipas ligjeve të miratuara së fundmi në fushën e administratës shtetërore, harmonizimi i pozitave të ndryshme për punën e njëjtë, mosha e vjetër e punonjësve të administratës komunale, përkatësisht nxitja e pensionimit të parakohshëm, pagesa e punës jashtë-orarit, digjitalizimi i shërbimeve të administratës komunale e të tjera.
E nga ana tjetër ministri i Administratës Publike Mahir Jagcillar, është shprehur se po punojmë të gjithë së bashku që të krijojmë një administratë e cila prodhon rezultate, ofron shërbime qytetarëve, bizneseve, shoqërisë civile, por edhe të gjithë neve që kërkojmë një shërbim.
“Në këtë aspekt duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht Ligjin e ri për Procedura të Përgjithshme Administrative, ligjet tjera, por në të ardhmen edhe këto tri ligje. Por, duhet të mbështesim me hapësira të përshtatshme, digjitalizimin për platforma elektronike edhe me shumë gjëra të tjera. Ne si Ministri e Administratës Publike në kuadër të reformës së administratës publike dhe në biseda me Bashkimin Evropian që të përafrohemi standardeve të nevojshme këtë vit do të fillojmë me pilot-projekt pastaj do të vazhdojmë edhe në komuna të tjera me ofrimin e shërbimeve me vetëm një pikë të kontaktit”, ka thënë Jagcillar.
Ndërkaq Naser Shamolli, Drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Administratës Publike, ka folur për draftin e këtyre tre projekt-ligjeve. Në fund pati diskutime nga më të ndryshmet sa i përket ligjeve të reformës së administratës shtetërore, përkatësisht: Projektligji për Administratën Shtetërore; Projektligji për Zyrtarët Publik si dhe Projektligji për Pagat.