Ka filluar fushata e korrje-shirjeve, apo grumbullimi i grurit në Komunën e Ferizajt. Fillimin e korrjes së grurit, sot e ka përcjellë nga afër edhe drejtori i Bujqësisë në Ferizaj, Ismet Vranovci, i cili tha se me drithëra të bardha këtë vit janë të mbjella rreth 4,500 hektarë tokë, duke përfshirë, elbin, tërshërën, ndërsa vetëm me grurë janë të mbjella rreth 4,200 hektarë tokë.
“Sot po fillojmë zyrtarisht fushatën e korrje-shirjeve në fshatin Sazli, ku shihet se gruri është në fazën maksimale të pjekjes dhe është në konditat e korrjes. Rendimente pritet të jenë të kënaqeshe presim mesataren rreth 3800 deri në 4 mijë kilogram, por ka parcela të tokës ku mund të nxirren edhe rreth 5 mijë kilogramë, dhe do të thotë se rendimentet e grurit janë të kënaqeshe”, ka thënë Vranovci.
Fermeri, Xhemshir Hashani, nga fshati Sazli tha se është tejet i kënaqur me rendimentet e grurit që ka arritur sivjet.
“Kam mbjellë 2 hektarë e gjysmë me grurë, dhe po pres rendimente të kënaqshme, sepse deri më tash gruri ka pasur një cilësi shumë të mirë”, ka thënë Hashani.
Për fushatën e korrje-shirjeve në Komunën e Ferizajt janë angazhuar mbi 90 autokombajna, ndërsa pritet që ky proces të përfundojë brenda 10 deri në 15 ditë, varësisht nga kushtet atmosferike.
Me këtë rast zyrtarët komunalë kanë apeluar tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos bëjnë ndezjen e hamullorëve, për shkak se rreziku nga djegia është shumë i madh.