Një mace shtëpiake është bërë kafsha e parë e këtij lloji që është konfirmuar si e infektuar me Covid-19 në Francë. Për këtë arsye, veterinerët po rekomandojnë që njerëzit t’i kufizojnë kontaktet me kafshët e tyre shtëpiake.
Rasti u konfirmua nga departamenti i hulumtimeve virologjike në Shkollën Kombëtare të Veterinarisë “Alfort”. Hulumtuesit i testuan dhjetë mace që kishin kontakte me pronarët që dyshoheshin se janë të infektuar me Covid-19.
Franca tashmë u bashkohet Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Belgjikës në listën e vendeve që kanë konfirmuar raste të maceve të infektuara me koronavirus, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Macja e parë që ishte vërtetuar se ishte e infektuar me këtë virus ishte një mace në Belgjikë dhe rasti ishte shënuar në fund të marsit. Pak kohë më vonë, një mace e infektuar u konfirmua edhe në Hong Kong.
Sidoqoftë, organizata “Cats Protection” ka thënë se pronarët e maceve nuk duhet të brengosen pa nevojë, sepse tash për tash dëshmitë janë të pakta dhe numri i maceve të prekura është jashtëzakonisht i vogël.