Një pasha i jashtëzakonshëm, një gjeneral anglez dhe një piktor francez në një skenë gjahu në liqenin e Butrintit, e cila që prej dy shekujsh nuk është përsëritur më në ato përmasa.
Kur kujtojmë tablotë mbi shqiptarët e shekullit XIX midis piktorëve francezë spikasin tri piktorë të njohur: Louis Dupré, Léon Gérôme dhe Auguste Descamps, pa harruar sigurisht Délacroix-në me tablonë e tij mbi sulmin e Marko Boçarit dhe vallen e suljotit me fustanellë. Por nëse Délacroix, Gérôme dhe Descamps nuk e vizituan Shqipërinë, Louis Dupré i përshkoi trevat e shqiptarëve. Dupré ishte një piktor i ri francez që si shumë artistë francezë të shekullit XVIII- XIX apo artistë nga e gjithë Evropa, zbrisnin atëherë në Itali për të parë artin italian të Renesancës, afresket e Sikstinës, veprat e Da Vinçit e Mikelanxhelos dhe shkollat artistike të «trecento»-s, «quatrocento»-s dhe «cinquecento»-s… Ai kishte qënë nxënës i piktorit të shquar David, piktorit të preferuar të Napoleonit, dhe në Romë, ku kishte ardhur pasi kishte fituar një bursë, u njoh aty me dy artistë të tjerë anglezë, Hyette dhe Hay, të cilët e ftuan që të shkonin sëbashku për të bërë një udhëtim drejt Korfuzit, Athinës dhe pastaj deri në Konstantinopojë. Ky propozim e joshi atë dhe të tre sëbashku vendosën të niseshin. Ky udhëtim do të niste nga Roma në 2 shkurt të vitit 1819 dhe me anije ata u nisën së pari drejt Napolit ku gjetën kompozitorin e famshëm Rossini, të cilit Dupré i bëri portret që u njoh në Francë. Që andej, ata iu drejtuan Korfuzit, ku siç do të shkruante në kujtimet e tij Dupré, përballë, drejt bregut shqiptar, dukeshin malet me borë të Himarës. «Ah që nuk kisha mundësi t’i pikturoja ato imazhe që kisha para sysh, ata shkëmbenj të paarritshëm, që shpesh rriheshin nga rrufetë. Si s’mund ta pikturoja atë breg të shkretë të Lukovës ku deti hidhte dallgë dhe ku drita e diellit dhe hijet krijonin njëmijë pamje të jashtëzakonshme në qiell, në tokë dhe në det»… Në Korfuz, që ishte stacioni i tyre i parë, Dupré shkruan se «kisha shprehur dëshirën që të pikturoja suljotët dhe shoqëruesi ynë, një grek që dinte italisht na solli të nesërmen dy suliotë…» Njëri nga ta ishte i famshmi Foto Xhavella, për të cilin Dupré do të ndalet në veçanti në librin e tij Voyage d’Athène à Constantinople. Madje ai shkruan se shqiptarët suljotë «në vënd që të betoheshin në emër të Zotit, ata betoheshin para shpatës së Fotos duke thënë: «Po gënjeva, shpata e Fotos le të ma presë kokën».
Para se të shkonte të takonte pashain në Janinë, Dupré ku qëndroi mes suljotëve, figurat e të cilëve e kishin mahnitur menjëherë. Aty ishin dhe familjet e tyre që kishin braktisur Sulin dhe ishin rradhitur nën flamurin francez në «Regjimentin e shqiptarëve» (Regiment des Albanais) siç quhej ato vite, por me humbjen e Napoleon Bonapartit më 1815 dhe ardhjen e anglezëve në ishull, tani ata jetonin në ca shtëpi të mjera në periferi të qytetit. «Pashë armët e tyre të varura nëpër mure dhe njëri nga ata, me një italishte jo të mirë, më tregoi për tmerret që kishin hequr nga Ali Pashai. Kostumi i këtij palikari ishte i prerë në mënyrë elegante dhe ishte qëndisur me fije ari…» Pas një qëndrimi të shkurtër në Korfuz, duke përshkuar Sajadhet, Dupré iu drejtua qytetit të Janinës.
Duke treguar takimin me Ali Pashën, ai shkruan: ”Në saraje, ne e gjetëm atë me gjeneralin anglez Mailand bashkë me tri gra angleze. Sir Thomas Maitland i tregon Aliut se unë isha një piktor francez që po bëja një udhëtim nëpër Greqi. Tek po flisnin për vizatimet e mia, Aliu pati kureshtje dhe donte t’i shikonte. Unë hapa bllokun e vizatimeve dhe i tregova dy vizatime suliotësh që kisha bërë në Korfuz. Por vizatimi i tretë, ai i Foto Xhavellës i tërhoqi vëmëndjen, dhe duke shpërthyer me të qeshur thirri: «Ah, këtë këtu e njoh! Eshtë një nga armiqtë e mij!… Gjenerali Maitland, më shumë për kënaqësinë e tij sesa timen, dhe meqë Aliu dukej shumë në humor i propozoi atij që unë t’ bëja një portret, por satrapi plak nuk u përgjigj veçse me një të qeshur tepër të veçantë. Dhe meqë komisari britanik ishte mësuar me atë lloj fizionomie, ai e kuptoi se nuk duhej të këmbëngulte për këtë. Atëherë ai iu lut Madhërisë së tij që t’i pikturoja dy djelmoshat e tij, për çka ai ra menjëherë dakort. Pastaj duke u çuar dhe duke e ftuar Sir Maitland-in për të shkuar për gjah në liqen, na ftoi të shkonim edhe ne me ta… »
Kur doli nga dhoma e madhe e pashait, në kalimin e korridorit dhe në dhomën ngjitur ai pa ata dy djelmoshat e të njomë dhe ndaloi para tyre, duke u thënë se pashai kishte rënë dakort t’i vizatonte dhe menjëherë nisi nga puna me fletoren e tij edhe pse ata e shikonin indiferentë. «Por ndërkohë, dallova një plak që fliste e lëvizte duart duke hedhur ndaj meje ca vështrime plot protestë e inat. E pyeta interpretin tim se me kë ishte inatosur ky plak dhe morra vesh se ai po më akuzonte për magji dhe se doja të prishja imazhin e tayre dy djelmoshave…. »
Në darkë, siç shkruan Dupré, bashkë me mikun e tij ai shkoi përsëri në Korfuz në anijen «Glascow» të gjeneralit anglez. Nga ambasadori i mbretit të Napolit, Duka De Narbonne, Dupré kishte marrë letra rekomandimi që të takonte në Korfuz konsullin francez Chantal, i cili drejtonte konsullatën franceze për ishujt jonianë. «Ditën që do të bëhej gjuetia ne shkuam që herët né mëngjesnë liqenin e Butrintit ku do të bëhej gjuetia. Në breg të liqenit pamë pashain që ishte mbi një barkë, i mbështetur mbi shumë jastiqe. Pas përshëndetjeve, ne hipëm në varkat tona dhe shpejt u dha sinjali për tu nisur. Barka e pashait printe e para, pastaj ajo ndiqej nga ajo e gjeneralit Maitland. Barka jonë shkonte pas tyre dhe prapa nesh, vinin shumë varka me oficerë anglezë, muziktarë dhe shumë nga ata që do të luanin rolin e qenve. Kur ishim pak a shumë në mes të liqenit, të gjithë u shpërndanë sipas dëshirës. Shpejt, 500-600 shqiptarë të shpërndarë nëpër pika të ndryshme të brigjeve të liqenit filluan të bënin punën e qenve për të trëmbur shpezët, duke klithur e bërë zhurmë, në mënyrë që shpezët të vinin nga anët tona. Dhe bataretë e armëve u shkrehën nga shumë drejtime. Ne ishim në qëndër të liqenit, shumë afër pashait. Pranë tij, pashai kishte dy djelmosha grekë, mjaft të bukur dhe të veshur me shumë sqimë, të cilët si të ishin pazhët e tij, kishin si detyrë të mbushnin armët e t’ia jepnin pashait kur ai t’i kërkonte që pastaj të qëllonte mbi shpendët që fluturonin. Ali Pasha hiqej si një qitës i shkëlqyer, por qoftë nga mosha, nga rënia e shikimit por dhe nga humori i tij, nga 5-6 të shtëna nuk qëlloi sot asnjë shpend. Por spektakli që po përjetonim ishte i mrekullueshëm. Dielli shkëlqente nën një qiell pa re. Një gjelbërim i dëndur shquhej nën ijen e maleve. Liqeni ishte i qetë dhe ujrat e tij të pastra… Ngado personazhe të veshur me rroba nga më të ndryshme, të cilët kryqëzoheshin me imazhet e shpendëve që fluturonin nën zhurmat e armëve dhe të muzikës, ehoja e të cilave përplasej diku larg… Meqë barka jonë prekte pothuaj atë të pashait, unë u ula ta kundroja atë mirë. Që nga takimi i parë prisja me shumë dëshirë që të bëja portretin e tij. Ai më kishte refuzuar që ta vizatoja, por megjithatë unë do ta bëja atë. Edhe pse me nxitim, unë ia arrita qëllimit. Para se ta lija liqenin e Butrintit, pata një seancë të dytë me nipërit e Aliut… Por ato i mbarova veç disa ditë më vonë. Djaloshi që quhej Mehmet, nuk arrinte ta kuptonte se përse një anë të portretit të tij unë e bëja më pak të shndritshme se tjetrën. I shpjegova atij rreth efektit që krijonte drita, por ai më përgjigjej gjithnjë. – Por ti e shikon që të gjitha pjesët e fytyrës time janë të ndriçuara!…»
Ato vite shumë historianë, studjues, artistë të Evropës kishin filluar të udhëtonin drejt Greqisë dhe Shqipërisë, duke lënë përshtypjet e tyre për këto vise dhe traditat e tyre : Martin Leake, Thomas Hughes, Sir Henry Holland, Felix de Beaujour, Joseph d’Estourmel, e shumë të tjerë. Pikërisht në këto vite u bë e njohur në Evropë «vallja pirike» e shqiptarëve që hidhej në Korfuz. Dhe Dupré padyshim do të ishte nga të parët piktorë që do të guxonte të bënte një udhëtim të tillë.
«Ne e lamë Korfuzin më 23 mars të vitit 1819. Zbarkuam në Sajadhes dhe e kaluam natën aty. Në 24 mars në mëngjes, hipur mbi kuaj të shkëlqyer dhe të ndjekur nga kuajt e tjerë me bagazhet tona, ne morrëm rrugën drejt Filatit. Ky qytet, popullsia e të cilit ishte muslimane, gjëndet në një rrafshinë të ngritur shkëmbore, ku dukeshin pemët e shumta nga të gjitha anët, me shtëpitë e bukura e të bardha, të shpërndara në mënyrën shqiptare. Që larg dukeshin minaretë që ngriheshin mbi atë pyll portokallesh, ullinjsh e limonash, duke i paraqitur vizitorit pamje të mrekullueshme… »
Kur lë pashain, Louis Dupré do të vazhdojë udhëtimin e tij drejt Larisës për në Meteora ku janë manastiret ortodokse që ngrihen madhërisht majë shkëmbenjve të lartë dhe ku turistët e rrallë mund të ngjiten veçse me ca litarë që priftërinjtë dhe murgjit ua hedhin nga lart. Rrugës, ata shkojnë të takojnë birin e Aliut, Veliun i cili zotëronte si një zot i vërtetë në gjithë Thesalinë. «Veli Pasha më pyeti për Napoleonin, – shkruan Dupré, – për gruan dhe birin e tij si dhe pse ai i kishte shpërndarë në poste të shumta pjestarët e familjes së tij, duke pyetur pastaj nëse kjo ishte diçka e drejtë apo jo?! Pastaj na nxorri një këngëtare italiane që të fillonte të këndonte për ne. «La Signora» i puthi dorën por kur i thanë të këndonte ajo u përgjigj se piano ishte ç’akorduar dhe s’mund të këndonte kështu. Atëherë Veliu na dha karrocën e tij të na çonte në luginën e Tempes, drejt Olimpit…»
Louis Dupré do të shkonte dhe një vit më pas në Janinë, por ai na befason kur shkruan për gjëndjen në të cilën e gjeti Janinën: «Një vit më vonë do të gjeja ushtrinë e sulltanit që kishte rrethuar kështjellën, nën flamujt e Ismail Pasho Beut…» Kështu Dupré nxitoi me kuajt që të largohej sa më parë, me shpresën e humbur se mund ta takonte sërrish pashain legjendar. Ai veç dëgjoi për kokën e prerë të Ali Pashës dhe udhëtimin e asaj koke përmes maleve tê Ballkanit deri né Stamboll.
Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, Greqi dhe në Konstantinopojë, Dupré realizoi shumë vizatime me portrete ku më së shumti dallohet cikli i tij në sarajet e Ali Pashës, si dhe suljotët, të cilët ai i pikëtakoi në Korfuz. Kur ai i ekspozoi ato më vonë në sallonin e artit në Paris, kritika i priti në një mënyrë të shkëlqyer, pasi jo vetëm personazhet ishin vizatuar né një mënyrë të përsosur por ato ishin të rrethuar dhe me një dritë të bardhë që dukej se mbizotëronte në peizazhet e Ballkanit të brigjeve të Jonit. Më pas, një pjesë e litografive të tij me ngjyra u shpërndanë ndër koleksionistë të ndryshëm. Padyshim, më e njohura ishte ajo e Ali Pashës në barkë, gjatë gjuetisë në liqenin e Butrintit, por ai ka pikturuar jo pak personazhe që e rrethonin Ali Pashën, siç ishin dhe mbajtësi i vulës së tij, apo portretet e familjarëve, ku krahë tyre ka vajza greke apo djelmoshë të bukur, që Ali Pasha kishte qef t’i mbante pranë. Vizatimet me ngjyra të bëra në Korfuz, shprehin qartë karakterin e suljotëve të shpërngulur, që edhe pse të privuar nga trojet e tyre historike, përsëri qëndronin krenarë, burrërorë, të gatshëm për luftra të reja, siç do të tregoheshin kur do të binin pak vjet më vonë këmbanat e Revolucionit Grek.