Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka arrestuar një të dyshuar për vjedhjen e një furre.
Policia thotë se kjo ndodhu në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme në hetimin dhe parandalimin e veprave të ndryshme penale me sukses ka arritur të bëjë arrestimin dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armëve ilegale.
“Më konkretisht me datën 22.02.2019 stacioni policor në Gjakovë ka marrë informacion për një rast vjedhje grabitqare, ku personi i dyshuar kishte hyrë në një furrë buke i maskuar dhe duke përdorur një mjet të mprehtë nën presionin e kanosjes kishte vjedhur kasafortën me të holla si dhe një telefon mobil e po ashtu gjatë përleshjes me viktimën ky i fundit kishte pësuar lëndime trupore”.
“Pas një pune operativo-hetimore me datën 28.02.2019 është arritur të identifikohet dhe të arrestohet personi i dyshuar: S. S. mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”.
Policia ka siguruar prova të mjaftueshme të cilat i janë dorëzuar në prokurori dhe ndaj personit të dyshuar është ushtruar kallëzim penal policor. Me vendim të prokurorit të shtetit personit të dyshuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Me datën 28.02.2019 Sektori i Hetimeve nga stacioni policor në Gjakovë ka realizuar një operacion bastisjeje në fshatin Smolicë të Gjakovës, konform urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore ku si rezultat i një pune operative dhe hetimore që hetuesit policorë kanë bërë, janë gjetur dhe janë konfiskuar: dy armë automatike AK-47 dhe një armë gjysmë automatike dhe municion në sasi të konsiderueshme”, shkruhet më tej në komunikatën e dërguar nga Policia.