Themeluesja e lëvizjes “Aufstehen” (“Zgjohu”), Sahra Wagenknecht, ka thënë se ajo dhe përkrahësit e saj do të dalin rrugëve gjatë vitit 2019, të motivuar nga protestat e jelekverdhëve të Francës. Ajo ka thënë se protestat në Francë janë dëshmi se ndryshimet në politikë mund të arrihet edhe pa themeluar parti politike.
Lëvizja e saj është themeluar në shtator të vitit të kaluar. Si arsye për protesta, Wagenknecht përmendi rritjen e pabarazisë dhe zemërimin për zhvlerësimin që qeveria ia ka bërë lëvizjës së saj politike. Udhëheqësja e lëvizjes me 170 mijë anëtarë të regjistruar ka thënë se e çmon partinë majtiste franceze, “La France Insoumise”, dhe udhëheqësin britanik të laburistëve, Jeremy Corbyn. Për të, këto parti paraqesin model për t’u ndjekur.
Ajo ka thënë se nuk e përkrah dhunën, por i vjen keq për ata që e shohin dhunën të nevojshme për ta shprehur pakënaqësinë. “Mendoj se është gabim t’i identifikojmë protestat në Francë vetëm me dhunë. Sigurisht se ka të tillë që janë të gatshëm për dhunë atje, por lëvizja është shumë më shumë se kaq”, tha Wagenknecht.
“Jam e qartë që nuk duam dhunë, por në të njëjtën kohë duhet ta dini se kjo është shprehje e zemërimit të heshtur. Asgjë nuk vjen pa asnjë arsye”. Politikania marksiste nuk e saktësoi formën e protestës, por tha lëvizja e saj do të jetë e dukshme në rrugë dhe para publikut gjatë këtij viti, shkruan “The Guardian”.