25 familje me gjendje të rëndë sociale në Gjilan janë në listë të pritjes për zgjidhjen e çështjes së strehimit.
Komunarët kanë bërë të ditur se në bashkëpunim me donatorët kanë arritur që t`i ndërtojnë 135 shtëpi për familjet në nevojë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por, kanë thënë se një pjesë e familjeve me gjendje të rëndë sociale nuk zotërojnë prona të tyre, ndaj ua ka pamundësuar donatorëve dhe komunës ndërtimin e shtëpive.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemajli, ka thënë se ata u janë përgjigjur pozitivisht kërkesave për ndërtimin e shtëpive për familjet të cilat posedojnë troje.
“Ka kërkesa ndër vite dhe me këtë projektin që realizoi me këtë shoqatën ‘Jetimët e Ballkanit’ ka qenë kriter prona. Janë ndërtuar 20 shtëpi dhe 2 janë në proces me një shoqatë tjetër. Kemi edhe 20 kërkesa që presin përgjigje për çështjen e banimit, mirëpo problem është se një pjesë nuk ka prona. Ato familje të cilat kanë pasur prona është finalizuar projekti për ta. Nëse kemi këtë trend të bashkëpunimit me donatorë do të përfundohen të gjitha shtëpitë. ‘Jetimët e Ballkanit’ kanë deklaruar se do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.