Në Gjilan hapet Panairi Vjeshtor i Ndërmarrësisë

Gjilan | 08 Sht 2017 | 15:58 | Nga

Nën organizimin e Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Lindje dhe Komunës së Gjilanit është hapur sot Panairi Rajonal Vjeshtor i Ndërmarrësisë, me pjesëmarrje nga të gjitha komunat e rajonit të lindjes.

Në panairin që mbështetet dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian, për dy ditë, do të ekspozohen produkte të ndryshme të prodhimit dhe punës së bujqve, biznesit dhe ndërmarrësve që veprojnë në Gjilan.

Drejtoresha e RDA-së në Gjilan, Valbona Tahiri, me rastin e hapjes së panairit të ndërmarrsisë ka thënë se kjo është një mundësi shtesë për bizneset e vogla dhe të mesme që të rriten dhe krijojnë ura lidhëse mes vete për të nxitur shitjen e produkteve të prodhuara në Gjilan dhe Anamoravë.

Kurse, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka konfirmuar vazhdimin e mbështetjes për ndërmarrësinë dhe prodhimet vendore në përgjithësi.

“Çdo vjet panairi i korrikut dhe i shtatorit do të jenë pjesë e kalendarit të Komunës, sepse është një mbështetje për fermerët dhe është mbështetje për zhvillimin ekonomik lokal. Krenohemi qe brendi i prodhimeve të ndrërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Gjilanit, janë gjithandej Kosovës dhe jashtë saj. Produktet e “Made in Kosova” sot gjenden në tregun e gjerë të Europës dhe më larg, e një pjesë e madhe e tyre është pikërisht nga Gjilani. Ky Panair tregon se qytetarët e këtij regjioni janë punëtorë të mëdhenjë sa i përket prodhimit produkteve të pemëve, përpunimit të ushqimit, të mishit dhe aktivitete të tjera biznesore që komuna e Gjilanit i ka”, tha mes tjerash kryetari Haziri.

Përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Mia Pazel, ka thënë se ende mbetet një sfidë e madhe për bizneset në vend.

“Prodhimet e Kosovës ende nuk janë prezente sa duhet në tregun e shteteve fqinje. Kërkoj angazhimin e të gjitha instancave shtetrore për mbështetjen e bizneseve që eksportojnë prodhime jashtë vendit”, tha ai.

Ndërsa, Mrika Macula, kryeshefe ekzekutive e ARDA-s, ka përgëzuar për organizimin e kësaj ngjarjeje të grumbullimit të bizneseve për promovimin e tyre, mbështetje me grante të ndryshme për qindra sosh, trajnimin dhe organizime të tjera të rëndësishme për ngritjen dhe zhvillimin e biznesit në Kosovë.

Në këtë Panair kanë marrë pjesë ndërmarrës nga të gjitha komunat e regjionit të lindjes, të cilët kanë mundësinë e krijimit të urave lidhëse të bashkëpunimit dhe promovimin e prodhimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme