Në Gjilan kanë filluar të premten aktivitetet treditore për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me ç`rast do të mbahen një varg manifestimesh kulturore-artistike, ndërkohë që kryetari i Komunës, Lutfi Haziri i ka ftuar qytetarët që të bashkëngjiten në festën e madhe të pavarësisë.
“Jemi të lumtur që këtë festë Gjilani e shënon me një numër të madh të aktiviteteve, kryesisht nëpër shkolla fillore dhe të mesme”, ka thënë Haziri, duke i ftuar qytetarët që të bashkëngjiten në shënimin e përvjetorit të shpalljes së deklaratës së Pavarësisë.
Përndryshe, programi për shënimin e pavarësisë së Kosovës, ka filluar me mbjelljen e njëmbëdhjetë fidanëve nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri si dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, në lokacionin e shkollës fillore “Abaz Ajeti”, si simbolikë e këtij përvjetori.
Në orën 11:30, fëmijët e shkollës fillore “ThimiMitko” kanë shfaqur një program festiv para Teatrit të qytetit në Gjilan, ndërkohë që manifestimet e kësaj dite kanë vijuar me një aktivitet tjetër në gjimnazin “Zenel Hajdini”, për t`u përmbyllur me një mbrëmje festive në hotelin “Kristal” së bashku me gjimnazin “Hydajet Lezha” nga qyteti i Lezhës.
Të shtunën shënohet nisja ceremoniale e Deklaratës së Pavarësisë nga objekti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në ora 09:00, për në shtatë qendrat kryesore të vendit: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj.Shoqërimi deri në komunat përkatëse do të bëhet nga një patrullë e Policisë së Kosovës dhe nga një zyrtar i secilës Komunë, i cili do të jetë përgjegjës për vendosjen e Deklaratës së Pavarësisë në sheshin kryesor të qytetit të Gjilanit, deri më datë 18 shkurt 2019, ora 17:00, kur Deklarata do të bartet në objektin e Komunës.
Po këtë ditë, në sallën e Kuvendit Komunal si dhe Zyrën e kryetarit të Komunës, do të zhvillohet solemniteti për dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” për shtetasin nga Shqipëria IrakliKoqollari, përkatësisht të titullit “Nderi i Qytetit” për gjilanasit EkremRukovci, ShemsedinAbazi, ShukriSylejmani dhe Selami Osmani (pas vdekjes).
Në Bibliotekën e qytetit, sipas një praktike të deritashme, do të bëhet shpallja e lexuesit të vitit, të cilëve do t`ua dorëzojë mirënjohjet kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.
Pjesë e programit të shënimit të ditës së pavarësisë, është edhe Teatri i qytetit, me shfaqjen “Im atë donte Adolfin” nga MehmetKraja, në regji të Ilir Bokshit, e cila jepet në orën 19:00.
Ndërkaq të dielën, më 17 shkurt, fillohet me homazhe tek varrezat e dëshmorëve (ora 10:00), për të vazhduar me akademinësolemne për nder të njëmbëdhjetë vjetorit të pavarësisë (11:00) dhe një program artistik nga shkolla e muzikës, që mbahet në sallën e Teatrit.
Në ora 13:00, në ambientet e Degës së LDK-së në Gjilan, bëhet përurimi i bustit të Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, që është aktiviteti i fundit në kuadër të programit për shënimin e këtij përvjetori të madh dhe të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.