Banorët e pallatit në lagjen Kodra e Shtufit thonë se ende janë të paqartë mbi masat, ndërsa tregojnë se kodra kishte paralajmëruar për rrëshqitje rreth dy muaj më parë, kur u panë të çara në rrugën tashmë të shembur, por nuk u mor asnjë masë për parandalimin.
“Nuk di gjë. Nuk mund të akuzojë njeri. Të merren masa të menjëhershme. Eksperti të vijë sa më shpejt. Duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt”, shprehen banorët.
Nëse kërkesa e bashkisë do të marrë përgjigje për shpalljen e gjendjes së emergjencës civile, pritet që ndërhyrjet të shtrihen në një territor të gjerë të prekur prej pasojave të motit brenda në qytet dhe në tri njësi administrative. Ndërhyrja ne zone tejkalon çdo mundësi të buxhetit lokal.
Niko Rogo, profesor i gjeomorfologjisë në Universitetin e Gjirokastrës, ka zgjedhur ta zhvillojë temën e tij mësimore mbi rrëshqitjet pikërisht në vendngjarjen e fundit.
“Është një rast shumë i mirë për konkretizimin e mësimit teorisë me praktikën. Rrëshqitjet janë një dukuri e zakonshme për ne në këtë periudhë. Njeriu duhet të ishte treguar më i kujdesshëm në ndërtime”, shprehet Niko Rogo.
“Masat nuk ishin marrë si duhet. Ndërtimet nuk janë bërë me ndihmën e specialistit”, thotë një studente.
Në Gjirokastër janë aktive tre rrëshqitje të mëdha që po rrezikojnë dy pallate disa vila dhe 9 shtëpi historike në tri lagje të ndryshme.
Situata ka nisur 9 vite më parë ku një pallat u shemb duke marrë tri jetë. Rrëshqitjet vijuan të kërcënojnë edhe gjatë viteve në vijim duke u shënuar 5 të tilla dhe kulmuan këtë fillim viti pas reshjeve intensive që përfshinë Jugun e vendit.