Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS), kanë organizuar “Forumin për Sportin”, i cili për qëllim ka aktivizimin e qytetarëve për t’u marrë me aktivitete sportive, raporton Ekonomia Online.
Në këtë aktivitet që mbahet në kuadër të Javës Evropiane të Sportit u tha se sporti ka ngecur këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19.
“Forumi për Sportin” do të jetë i hapur deri më 30 shtator, e që synon aktivizimin e qytetarëve që të merren me sport.
Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi, tha se ministri do të investojnë në infrastrukturën sportive, në mënyrë që të nxisin të rinjtë që të merren më shumë më sport.
Ajo tha se disa nga temat që duhet të diskutohen janë Ligji për Sponsorizimin, kategorizimi i trajnerëve, barazia gjinore etj. Dumoshi premtoi përkrahje për klubet e femrave.
“Prioritetet e MKRS edhe këtë vit janë investimet që janë duke u realizuar në modernizimin e infrastrukturës sportive. Këto investime kalojnë shumën e 19 milionë euro mbi 80 për qind e projekteve infrastrukturore në të gjitha komunat e Kosovës, duke investuar në stadiume, palestra, fusha të tenisit etj, ku përfitues janë edhe komunat e komuniteteve. Tërë këto investime të MKRS ndikojnë edhe në masivizimin e sportit në përmbushje të objektivit “Sport për të gjithë”, tha ajo.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, iu ka bërë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në klube të ndryshme, ashtu siç i dërgojnë në shkolla.
“Me kënaqësi KOK ka pranuar për këto vite organizimin e forumit, që fillon sot e që është shumë atraktive për shumë shtete, ku kanë mbledhur miliona njerëz duke i ikur pasivitetit. Kjo ngjarje ka për synim që të mblidhen më shumë njerëz, por që në Kosovë nuk po arrin të mblidhen shumë. Prindërit duhet që ta marrin për dore e ta dërgojnë në ndonjë klub, siç e dërgojnë në shkollë”, tha Hasani
Forumi për sportin do të jetë i hapur deri më 30 shtator, e që synon aktivizimin e qytetarëve që të mos jenë pasiv.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, duke folur për pezullimin e disa aktiviteteve sportive për shkak të pandemisë Covid-19, ka thënë se edhe pse kanë pas kërkesa nga disa federata, kushtet infrastrukturore që janë kanë pamundësuar lejimin e të gjitha aktiviteteve.
“Kemi pasur debate me federatat tjera dhe mendoj se pritjet janë të arsyeshme, por që më hapa të ngadalshme po shkojmë përpara”.
Kushtet që i ka Kosova në aspektin infrastrukturor na ka pamundësuar që t’i lejojmë të gjitha aktivitetet. Kjo vala e dytë që po quhet i ka përfshirë shumë shtete, por që ne jemi pak më mirë por që duhet të shkojmë në hapje të kontrolluar . Pas një lirimi të lehtë, nuk dëshiroj asnjë federatë që të mbyllet për shkak të mosrespektimit të masave. Do të ketë masa më rigorozë në këtë aspekt”, tha Zemaj.