Do të jetë goxha e ndërlikuar këtë vikend për të kuptuar se cilat ekipe nga Serie A do të kualifikohen në Ligën e Kampionëve për edicionin 2019/20.
Në xhiron e fundit të këtij edicioni në Serie A, katër skuadra kanë gjasa për të siguruar dy pozitat e mbetura, tre dhe katër, që dërgojnë në “Champions”, transmeton Koha Ditore shkrimin e AP.
Dhe Atalanta, Interi, Milani dhe Roma mund të përfundojnë këtë edicion me numër të njëjtë pikësh pas ndeshjeve që i luajnë të dielën, në kuadër të xhiros së 38-të të Serie A.
Në disa shtete, goldallimi merret për bazë për të vendosur renditjen në tabelë mes ekipeve me pikë të njëjta, por në Itali në këso raste merren për bazë duelet e drejtpërdrejta. Dhe kjo e bën situatën edhe më të ndërlikuar, pasi disa ekipe të përfshira në këtë garë kanë barazuar në përballjet direkte.
Me Juventusin kampion dhe Napolin nënkampion, ekipe këto që i kanë siguruar dy pozitat e para dhe kualifikimin në “Champions”, Atalanta aktualisht është e treta në tabelë me 66 pikë, sa i ka edhe Interi në pozitën e katërt. Ndërkohë, Milani dhe Roma ndajnë pozitat pesë dhe gjashtë me nga 65, përkatësisht 63 pikë.
Bazuar në rregullin e Serie A për renditjen përfundimtare, Milani do të kualifikohej për Ligën e Kampionëve së bashku me Interin, nëse të katër ekipet do të përfundonin me pikë të njëjta.