Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2017”, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe “Columbus” kanë mbajtur një konferencë për medie me temën “Ora kundër Korrupsionit”, me ç’rast trajtuan disa raste të mëdha, të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje.
Përfaqësuesit e këtyre dy organizatave joqeveritare paralajmëruan se nesër do të kërkojnë përgjigje nga prokurorët e nga personat me të cilët janë marrë me trajtimin e këtyre rasteve.
Betim Musliu, nga IKD, tha se afera e përgjimeve e njohur si “Pronto” është afera më e madhe, mirëpo sipas tij kjo aferë asnjëherë nuk është futur në listën e rasteve që duhet të trajtohen si prioritet.
“Afera ‘Pronto’ është afera e përgjimeve përmes së cilës është dëshmuar një aferë korruptive dhe kjo aferë është në fazën e hulumtimit. Afera ‘Pronto’ nuk është në rastet e top shënuara që trajtohen me prioritet absolut. Afera ‘Pronto’ nuk është trajtuar me prioritet edhe kjo dëshmon edhe joseriozitetin në zgjedhjen e rasteve”, tha Musliu.
Ndërsa rastin e “falsifikimit të diplomës” nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e prezantoi Ehat Miftaraj. Ai tha se prokurori që e ka trajtuar këtë rast ka kryer veprime pa pasur një vendim nga gjykata për hapje të hetimeve, duke bërë shkelje.
“Prokurori Munishi ka sekuestruar dokumente me vendim të tij. Prokurori ka marrë në pyetje dëshmitarë, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, pa pasur një vendim për hapje të hetimeve. Në mënyrë që të zbulohet e vërteta është dashur të bëhet ekspertizë e dokumenteve”, tha Miftaraj.
Edhe Instituti “Columbus” prezantoi dy raste lidhur me korrupsionin. Saranda Rama e cila prezantoi rastet tha se do të mundohen të marrin përgjigje në pyetjet për këto raste nga aktorët e përfshirë edhe pse Policia ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë.