Komisioni Europian është në dijeni të mocionit të miratuar në Parlamentin holandez, por nuk ka marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar për të filluar ndërprerjen e regjimit të liberalizimit të vizave, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian, Natasha Bertaud, raporton agjencia italiane e lajmeve “Agenzia Nova”.
“Ka një procedurë specifike për pezullimin e regjimit të liberalizimit të vizave. Sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar që të kërkojë ndërprerjen e sistemit të vizave”, sqaroi zëdhënësja e KE-së.
“Nëse do të ndodhë, ne do e analizojmë me kujdes, do e vlerësojmë dhe do të përcaktojmë nëse nevojiten veprime”, tha ajo.
Për më tepër, zëdhënësja u shpreh se “Komisioni ka publikuar në dhjetor 2018 një raport mbi vlerësimin e regjimit të liberalizimit të vizave për vendet e partneritetit lindor dhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka dalë në përfundimin se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, vazhdojnë të përmbushin kriteret e kërkuara, por janë të nevojshme shumë veprime të tjera”.
Ky saktësim i Bertaud erdhi një ditë pasi në Parlamentin holandez u votua në favor të pezullimit të regjimit të liberalizimit të vizave për udhëtimet e qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen/ATSH.