Më 9 janar, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, e më 17 janar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Kjo do të duhej të ishte agjenda e ish-ushtarit të UÇK-së, Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, por i cili me të pranuar ftesën për t’u paraqitur në Hagë, bëri të ditur se nuk e ka ndërmend të shkojë me arsyetimin se nuk e njeh këtë institucion, raporton KTV.
Ndaj Shalës, ka të ngritur një aktakuzë për krime lufte nga Prokuroria Speciale pranë Gjykatës Themelore të Prizrenit, ku akuzohet si i përfshirë në rrëmbimin e një banori të Suharekës.
Përgjegjësi për komunikim me media në Prokurorinë Speciale, Sylë Hoxha, konfirmoi se prokurori i këtij rasti do të jetë në Gjykatë më 9 janar, derisa tha të mos kenë ndonjë informacion në rrugë zyrtare për largimin e të akuzuarit.
Deri tani, Hoxha ka thënë se nuk kanë pasur ndonjë kërkesë që ky rast të kalojë te Prokuroria e Specializuar e Hagës.
Në njohuri për zhvillimet rreth Shalës janë edhe në Prokurorinë e Specializuar.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar është në njohuri se individë në Kosovë ose avokatë që flasin në emër të tyre kanë njoftuar mediat se ata, ose klientët e tyre kanë pranuar fletëparaqitjet. ZPS-ja, po ashtu është në njohuri për raportimet në mediat kosovare lidhur me z.Shala. Sidoqoftë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk komenton statusin e hetimit të saj”, ka thënë Chriss Bennet, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Benneti ka rikujtuar edhe pasojat e refuzimit të bashkëpunimit, të rregulluara me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe të Prokurorit të Specializuar, e që parasheh gjoba e edhe burgim, për aq kohë sa refuzon të dëshmojë.
Përgjigje lidhur me rastin e Shalës, KTV-ja ka tentuar të marrë edhe nga avokati që e përfaqëson në rastin ku akuzohet për krime lufte, Policia e Kosovës dhe Misioni i EULEX-it në Kosovë.
Misioni i EUELX-it ka thënë se pyetjet duhet t’i drejtohen Prokurorisë së Specializuar, duke shtuar se misioni i ndihmon Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale.