Presidenti kinez, Xi Jinping i ka hapur të shtunën Lojërat Aziatike, të 19-at me radhë, në një ceremoni shumëngjyrëshe në Hangzhou.
Lojërat do të zgjasin për dy javë dhe to marrin pjesë më shumë atletë sesa në Lojërat Olimpike.
Pas shtyrjes së tyre prej vitit të kaluar – për shkak të zbatimit të politikës zero raste me koronavirus – më shumë se 12.000 garues prej 45 vendeve dhe territoreve do të garojnë në 40 sporte.
Në mesin e mysafirëve për hapje të këtyre Lojërave është parë presidenti sirian, Bashar al-Assad.
Kjo herë hera e parë që Assad e ka vizituar Kinën prej nisjes së luftës civile në Siri më 2011.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach ka qenë në mesin e mysafirëve.
Liderë nga Kamboxhia, Kuvajti dhe Nepali, kanë qenë aty, po ashtu.
“Më në fund mund të mblidhemi për Lojërat e 19-ta Aziatike”, ka thënë Raja Randhir Singh, ushtrues detyre i presidentit të Këshillit Olimpik të Azisë.
Simboli i ceremonisë së këtij viti ka qenë uji.
Statusi i Kinës si destinacion për sporte dhe biznese është goditur rëndë pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, për shkak të izolimeve të ashpra dhe bllokadës në fluturimet ndërkombëtare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.