Organizata joqeveritare “Koha” në Klinë, që monitoron punën e institucioneve komunale të Klinës ka kritikuar qeverinë komunale për kaosin urbanistik të krijuar në qytetin e Klinës, si pasojë që siç thotë kjo organizatë, e mungesës dhe keqmenaxhimit të hapësirave publike ekzistuese.
OJQ “Koha” përmes një komunikate të lëshuar të hënën, ka shprehur shqetësimin e saj mbi qasjen e Komunës së Klinës në trajtimin e hapësirave publike, shkruan sot “Koha Ditore”.
“U bë një kohë që qytetarë të ndryshëm kanë shfaqur në forma të ndryshme brengat e tyre mbi mos efikasitetin e Komunës së Klinës në lirimin e hapësirave publike, të cilat zihen nga biznese private apo kompani, pa përfillur thuaja asnjë kriter. Është evidente që qyteti i Klinës përballet më investime në rrugën kryesore të saj, por kjo nuk duhet ta shndërroj qytetin e Klinës në një lloj ‘anarkie’. Momentalisht, në qytet mund të vërehen rrugë dhe trotuare të zëna nga biznese lokale. Makina të ndalura apo parkuara çdo kund dhe lëvizje pa asnjë kontrolle”, thuhet në këtë komunikatë. Sipas kësaj OJQ-je, po ashtu është vërejtur edhe dëmtim dhe zaptim momental i hapësirës publike, me saktë të trotuareve nga ndërtuesit e ndërtesave të larta.
“OJQ ‘Koha’ bënë thirrje për më shumë koordinim ndërmjet drejtorive gjegjëse, siç janë drejtoria e urbanizmit me atë të inspektoratit, po ashtu edhe atë të shërbimeve publik. Për më tepër fton për me shumë koordinim edhe me policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Klinë”, thuhet në komunikatën e OJQ “Koha” .