Familjet e personave të zhdukur në përmbytjet, të cilat në fillim të muajit goditën qytetin Mocoa të Kolumbisë, të afërmit e tyre po përpiqen t’i gjejnë përmes fotografive të vendosura në muret e ndërtesave, raporton Anadolu Agency (AA).
Në përmbytjet e shkaktuara nga shiu i rrëmbyeshëm humbën jetën 321 perosna, kurse sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 100 njerëz janë zhdukur.
Ekipet e shpëtimit kanë pezulluar operacionet e kërkimit për personat e zhdukur, kurse familjet kanë vendosur të bëjnë diçka për t’i gjetur. Gjithashtu, familjet po kërkojnë nga autoritetet që të vazhdojnë operacionet e kërkimit për t’i varrosur të afërmit e tyre në mënyrë të dinjitetshme.
Në shumë rrugë, objekte banimi ose afariste në qytetin Mocoa, janë vendosur fotografi të personave të zhdukur. Familjet shpresojnë se të paktën do t’i gjejnë trupat e të afërmve të tyre.
Mund të shihet se si njerëzit kërkojnë të afërmit e tyre nën rrënoja në rajonin e qytetit, edhe pse disa trupa janë gjetur edhe 50 kilometra larg nga qyteti.
Shumë grupe të përbërë nga anëtarë të familjeve, të afërmit e të cilëve janë zhdukur, mblidhen çdo mbrëmje për të kërkuar ndihmë përmes mediave.
Në qytet, disa shkolla përdoren si qendra pranimi për njerëzit të cilët kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Megjithatë, pritet që këto shkolla të zbrazen, ashtu që 12 mijë nxënësit të kthehen në bankat shkollore.
Njëkohësisht, po vijon vaksinimi kundër disa llojeve të sëmundjeve. Në vijim janë edhe punimet për sigurimin e energjisë elektrike, në qytetin, pjesë të caktuara të të cilit pothuajse janë shkatërruar tërësisht.
Të dhënat e fundit të Departamentit Kombëtar për menaxhimin e krizave (UNGRD) tregojnë se në mesin e viktimave në përmbytjet ndodhen 120 të mitur.
Reshjet e dendura më 31 mars goditën qytetin Mocoa, i cila numëron rreth 45 mijë banorë. Reshjet kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve Mulato, Sangoyaco dhe Mocoa, kurse dheu dhe shkëmbinjtë që janë shembur, kanë shkatërruar disa vendbanime apo pjesë të tyre.