Lojtarët në Bundesligë janë testuar dy herë brenda një jave pas rifillimit të stërvitjeve, ndërsa do të testohen edhe disa herë të tjera para se të rifillojë edicioni i pezulluar për shkak të koronavirusit, më 16 maj – vikendin e ardhshëm. Edhe në Angli e vendet e tjera parashikohen testime të shpeshta të futbollistëve për koronavirus, në tentim për të vazhduar edicionin.
Edhe në Kosovë synohet rifillimi i edicionit. Por, teste të shumëfishta për koronavirus nuk do të ketë. Në fakt, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) planifikon të testojë lojtarët para se të rifillojë edicioni, ndonëse për këtë nuk ka ende një plan më të detajuar.
Testimi i futbollistëve për koronavirus para fillimit të kampionatit, nëse realizohet do të jetë i vetmi. Bërja e dy apo më shumë testimeve nuk vjen në konsideratë, dhe këtë e ka lënë të kuptohet sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Megjithatë, Salihu ka pranuar se masat tjera parandaluese do të aplikohen, siç është matja e temperaturës para ndeshjeve, por edhe dezinfektimi i duarve me dezinfektues. Gjithashtu, do të bëhet edhe dezinfektimi i stadiumeve dhe hapësirave përcjellëse derisa zyrtarët e tjerë të përfshirë në një ndeshje do të jenë me maska dhe dorëza, por jo edhe lojtarët.
Edhe klubet e Superligës janë të pajtimit që lojtarëve t’u bëhet vetëm një herë testi për koronavirus, pasi janë të gatshme për rifillimin e garave, shkruan KOHA.
“Mendoj se është koha e duhur për të lejuar rifillimin e garave të futbollit, pasi në shumicën e shteteve tashmë kanë nisur. Si federatë jemi të gatshëm, por edhe klubet gjithashtu pas pauzës gati dymuajshe. Ne ende jemi në pritje të një përgjigjeje nga Ministria e Shëndetësisë për rifillimin e garave. Po presim masat që na i dërgojnë ata para se të rifillojmë”, ka thënë Salihu të premten. “Sa i përket testimit të lojtarëve edhe këtë e kemi parashikuar. Por, testi do t’u bëhet vetëm një herë për shkak se para çdo ndeshjeje është e pamundur. Kurse, sa u përket masave të tjera ato do të aplikohen, siç janë matja e temperaturës, dezinfektimi dhe evitimi i shtrëngimit të duarve para, gjatë dhe pas ndeshjes”.
Edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina mendon se mjafton vetëm një herë testi t’u bëhet lojtarëve para se të rifillojnë garat.