“Në mal pa sopatë!” A po e thumbon Kurtin deputeti i VV-së

Prishtinë | 10 Dhj 2022 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Haki Abazi, deputet i LVV-së, ka shkruar një status pas vizitës së tij në QKUK tek polici i plagosur në veri.

Ai ka shkruar një status, që duket t’i jetë kushtuar kryeministrit Albin Kurti, pa e përmendur fare me emër.

Në shkrimin e titulluar “Në mal pa sopatë”, Abazi ka treguar për gjendjen e policit të plagosur në veri, duke theksuar se “vrimat e policit të plagosur janë dëshmia e trimërisë, vendosmërisë dhe patriotizmit në vepër”.

“Në dhomën e spitalit, vrimat e policit të plagosur janë dëshmia e trimërisë, vendosmërisë dhe patriotizmit në vepër. Po, në vepër jo në teorinë e kapelës së Leninit as në çantën e varur në krahun e majtë për të tërhequr supin e krahut duke e bindur veten për pazëvendësueshmërinë e species unikale të zbritur nga qielli si misionar ideologjik. Etni e njejtë por mendësi patriarkale e Mugoshës”, ka shkruar ndër të tjera z. Abazi.

Kujtojmë që Abazi është një nga deputetët kritik të Qeverisë Kurti, ndonëse ende është pjesë e grupit parlamentar të LVV-së.

POSTIMI I PLOTË:

Në dhomën e spitalit, vrimat e policit të plagosur janë dëshmia e trimërisë, vendosmërisë dhe patriotizmit në vepër. Po, në vepër jo në teorinë e kapelës së Leninit as në çantën e varur në krahun e majtë për të tërhequr supin e krahut duke e bindur veten për pazëvendësueshmërinë e species unikale të zbritur nga qielli si misionar ideologjik. Etni e njejtë por mendësi patriarkale e Mugoshës.

Në dhomën e spitalit kirurgjik vrimat e prizave dhe spinave te kacavjerrura mbi kokën e policit ishin poashtu evidente, ato pune të kryera shkel e shko me gërdi. Ajo vrima mbi kokën e policit që kishte vrimën e bërë nga armiku, po vrimën e prizave, po bezat e bardhë të shkoqur që dukeshin si skenografi e një drame trishtuese.

Në oborrin e QKUK kishte shumë vrima nga një kontraktor që po bënte kalime në mes të hapsirës së gjelbër, po asaj pak hapsire të gjelbër që ka mbetur në atë QKUK ku rrinte qeni topall. Aty përball kishte një ndjesi për vrimat që u bënë mbi trupin e nënës dhe foshnjës.

E lashë policin në dhomën, afër tij kollitej me gjëmë një i sëmurë tjetër… Polici kishte zemrën më të madhe që e keni parë, ai fliste vetëm për shokët e tij, ata që e duan këtë vend me jetën e tyre. Ata që plumbin se bëjnë hesap e lere më avokatin, prokurorin e gjyqtarin e korruptuar deri në palcë që ka te veshura rroba me mijëra euro e mbathje me qindra euro ndërsa kombibusi i policëve tanë nuk ka bateri dhe ndoshta ajo makina e blinduar së paku do të vije si kompensim për mungesën e sigurimit jetsor.

Veriu është i yni, policët janë të tanët, me përulje për gratë dhe burrat në shërbim të shtetit dhe kombit tonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme