Materniteti në komunën e Lipjanit nuk funksionon si duhet. Në sallën e lindjes nuk është investuar prej më shumë se 20 vitesh. Kushtet e mjerueshme kanë bërë që brenda vitit të kaluar këtu të lindin vetë pesë raste, që ishin urgjente.
Nënat e kësaj komune që duan të lindin drejtohen në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë.
Në mungesë të kushteve për shërbime sekondare, ky institucion kryen vetëm shërbime primare. Gratë shtatzëna mund të kryejnë kontrolle si dhe të marrin këshilla për gjidhënie e të ngjashme, shkruan Ulpianapress.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, Vlora Limani-Hajnuni, ka thënë se nuk është problematike vetëm investimi kapital në maternitet, por edhe kompletimi i stafit mjekësor. “Duhet të punësohet edhe një anesteziolog dhe një nenantolog”.
Ajo është zotuar se pavarësisht që sivjet nuk kanë paraparë ndonjë projekt për përmirësimin e kushteve në këtë sektor, do t’i shikojnë mundësitë me rishikimin e buxhetit për këtë vit.
“Gjatë këtyre ditëve kam qenë në vizitë te materniteti në Lipjan dhe e kam parë se gjendja në sallën e lindjeve nuk është e mirë. Përveç pajisjeve të cilat janë stërvjetruar, në sallën e lindjeve e kemi problemin edhe të kompletimit të stafit në mënyrë që salla të jetë më funksionale”.
“Shkaku i kushteve të tilla, në bazë të raportit vjetor, në këtë maternitet janë kryer vetëm 5 lindje, të cilat në fakt kanë qenë raste urgjente”, tregoi Limani-Hajnuni.
“Qëllimi im si drejtoreshë e re në këtë sektor është që ta funksionalizojmë sa më mirë maternitetin dhe lindjet të kryhen në Lipjan”, ka thënë ajo.