Në ambientet e ministrisë së Drejtësisë është përuruar “Këndi i Kurajos”, me punimet e grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se do të jenë zyëri i këtyre grave dhe asnjëherë nuk do t’i harrojnë vuajtjet e tyre.
“Këndi i Kurajos është simbolikë e ngritjes sonë. Këto zonja bashkë me të gjitha viktimat që e kanë marrë forcën për tu rikthyer e na bërë krenar. Ne do të jemi zëri i grave si viktima të luftës”.
“Zotohem që ky kënd do të jetë kurajo për ministrinë e Drejtësisë. Ne kurrë nuk duhet t’i harrojmë mundet e ringritjes”.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se për këto gra ka munguar drejtësia gjithë këto vjet.
“Kujtesa për të kaluarën dhe vullneti për të ecur përpara. Gratë që pavarësisht dhimbjes vazhduan jetën dhe u ballafaquan. Për këto gra ka munguar drejtësia këto vitet e fundit”.
“Ky kënd ka një kuptim më të plotë e më të gjerë që këto gra të kenë qasjen. Ne po provojmë që përmes artit që bëhet nga duart e këtyre grave shpalosin dhe rehabilitojnë dhimbjet e tyre dhe japin mesazhe jo vetëm këtu, por edhe në botë”.
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se kjo iniciativë duhet të adresohet edhe te institucionet e tjera, në mënyrë që të kërkohet drejtësi për këtë kategori, raporton EO.
“Është emocion i paparë ku gratë kërkojnë në një institucion këto punime po shpalosin forcë për të mbijetuar tutje. Ky kënd kërkon drejtësi për të gjitha gratë e burrat që ende nuk kanë marrë drejtësi. Uroj që kjo iniciativë të përqafohet edhe nga institucionet e mekanizmat e tjerë të shtetit që të mbahet gjallë memoria e të kaluarën”.
“Kjo mund të adresohet edhe në nivele më të larta për të kërkuar drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës”.