Në Meksikë ndodhin afro 100 vrasje në ditë, Tijuana është qyteti më vdekjeprurës

| 05 Nën 2019 | 09:45 | Nga

Në Meksikë ndodhin afro 100 vrasje çdo 24 orë, kurse presidenti i vendit Andres Manuel Lopez Obrador, është zotuar se do të çrrënjos krimin nga shoqëria, shkruan The Guardian.

Megjithatë ndryshimet janë shumë të vogla në këtë vend ku gjatë këtij viti janë vrarë afro 26 mijë persona, kurse vetëm në Tijuana, 1,800.

Kur në dhjetor të vitit të kaluar Obrador u zgjedh president i Meksikës, kishte premtuar se do ta “qetësojë” njërin nga popujt më të dhunshëm në Amerikën e Jugut, duke i shpallur luftë krimit në shoqërinë e këtij vendi. Por, janë bërë gati një vit nga ky zotim dhe shumë pak progres është bërë, kurse përqindja e vrasjeve dhe dhunës janë në nivelin më të lartë.

Gjatë muajit të kaluar zyrtari për siguri Alfonso Durazo pati deklaruar se përqindja e dhunës kishte rënë, por pa kaluar një javë pjesëtarët e kartelit Joaquin Guzman i njohur si El Chapo, vrau 13 policë kur ata tentuan t’ia arrestojnë të birin.

Në nëntë muajt e parë të këtij viti në Meksikë kanë ndodhur 100 vrasje në ditë, derisa gjatë vitit të kaluar në Tijuana kanë ndodhur 2,518 vrasje, dhe gjykuar nga situata aktuale duket se do të ketë më shumë.

“Shteti ka humbur kontrollin”, ka deklaruar eksperti i çështjeve të sigurisë Victor Clark për The Guardian, gazetarët e të cilit kanë kaluar afro 8 ditë në njërin nga qytetet më vdekjeprurëse në Meksikë – Tijuana.

Sipas tyre java filloi e qetë pa ndonjë vrasje në 24 orët e para, kurse kryetari i komunës së Tijuanës, Arturo Gonzales Cruz, pretendon se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur prej vitesh. Por të nesërmen dhuna filloi. Siç raporton The Guardian, në ora 6 të mëngjesit është gjetur trupi i pajetë i një burri, kurse pesë orë më vonë një çift i vdekur në periferi të qytetit. Rreth orës 14:45 është vrarë një burrë tjetër në shtëpinë e tij.

Kryetari i Tijuanës thotë se është jo reale të pritet që brenda një periudhe të shkurtër kohore të ndalet kriza e vrasjeve, por shpreson se do të zvogëlohet numri i vrasjeve. Ai së bashku me presidentin e vendit janë zotuar se krimi në qytetin e tij do të ndalet me rehabilitimin e shoqërisë dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

“Korrupsioni është nëna e të gjitha të këqijave që po ndodhin këtu”, thotë Gonzales.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme