Organizuar nga Federata e Boksit e Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, sot, në Mitrovicë filloi Turneu Ndërkombëtar Tradicional, i XX-i me radhë i boksit që i kushtohet komandantit legjendar Adem Jasharit, në të cilin marrin pjesë boksierë nga dhjetë shtete.
Të pranishëm në hapjen solemne të këtij turneu ishin kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, sportistë e shumë dashamirë të sportit.
Në fjalën e tij kryetari Bahtiri ka thënë se është nder e privilegj i madh që sot në palestën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë, po mbahet ky turne i boksit me përmasa ndërkombëtare.
“Nuk ka më mirë se sa të jesh sportistë, ata janë njerëzit më real dhe njëkohësisht ambasadorët më të mirë të vendit tonë. Ky manifestim është shembull i mirë për Kosovën dhe në veqanti për Mitrovicën”, ka thënë kryetari Bahtiri.
Ai më tutje ka shtuar se dëshiron që të gjithë boksierët shqiptarë sot të kenë një paraqitje dinjitoze.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur këtë manifestim duke ngritur lartë cilësinë e boksit të Kosovës me atë të nivelit botërorë.
“Kosova po dëshmon aftësi të larta organizative për ngjarje të nivelit botëror, pasqyrë reale se jemi në hap me cilësinë botërore të boksit”, ka theksuar kryeministri Haradinaj.