Në Mitrovicë u promovuan tri libra kushtuar atdhetarit Adem Demaçi

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 17:56 | Nga

Edhe në Mitrovicë është bërë promovimi i tre librave të autorit Selatin Novosella, kushtuar simbolit të rezistencës komëbatre, Bacë Adem Demaqi, ku ishin të pranishëm kryetari i komunës, Agim bahtiri, veprimtarët e çështjes kombëtare Selatin Novosella e Meriman Braha dhe shumë myasfirë, intelektual, nxnës e dhashmir të librit nga Mitrovica dhe rajoni.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nën patronatin e të cilit u bë promovimi, tha në fjalën e tij përshëndetëse, se Mitrovica e heronjve dhe veprimtarëve të shumtë të çështjes kombëtare, gjithmonë ka pas respekt dhe e ka dashur të madhin Bacë Adem Demaçi.

“Andaj duke pas parasysh këtë, unë kam propozuar dhe Kuvendi i Komunës, e ka aprovuar këtë, që parku në zemër të Mitrovicës, të marrë emrin e Bacë Adem Demaçit, i cili përgjithmonë do të jetë vendburim i frymëzimit të brezave të rinj për çështjen kombëtare”, tha ndër të tjera ai.

Kryetari Bahtiri i njoftoi pjesëmarrësit në promovimin e librave, se me propozimin e tij, Kuvendi i Komunës ka marrë vendim që parku kryesor në qendër të qytetit, afër ish kazermës së TMK-së, të merr emrin e atdhetarit Adem Demaçi.

Referuesi i parë për librin “Adem Demaçi në gjykimin e parë” (1958), profesor Fazli Hajrizi, tha në fillim se në 80-vjetorin e lindjes së veprimtarit e atdhetarit të shquar, shkrimtarit të spikatur e simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Bacë Adem Demaçit, pa shpirtin idealist të të cilit sot nuk do të kishim as Kosovën e as popullin e saj kështu siç është sot, autori Selatin Novosella, gjithashtu një veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, ka bërë punë të madhe duke botuar tre libra kushtuar jetës dhe veprimtarisë për të: “Adem Demaçi në Gjykimin e parë” (1958), “Adem Demaçi në gjykimin e dytë” (1964) dhe “Adem Demaçi në gjykimin e tretë” (1975).

“Adem Demaçi që nga vitet ’50-ta të shekullit të kaluar e deri më sot, ka mbetur njëri ndër zërat më të artikuluar të aspiratave të popullatës shqiptare në Kosovë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, figura më e njohur, më e spikatur e më e respektuar. Duke qenë thellësisht shqiptar, ai është po aq universal. Tre librat e Selatin Novosellës shpërfaqin vizionet e Bacë Adem Demaçit për liri, pavarësi, çlirim dhe bashkim kombëtar, janë një thirrje që e vërteta të mos harrohet. Këta tre libra janë një kontribut shumë i çmueshëm sepse ndriçojnë veprimtarinë patriotike të A. Demaçit dhe të bashkëveprimtarëve të tij për çlirimin e Kosovës dhe të popullit të saj nga Jugosllavia, përkatësisht Serbia, dhe bashkimin e saj me Shqipërinë e ndarë padrejtësisht në konferenca e kohë të ndryshme”, tha ndër të tjera profesor Hajrizi.

Referuesi i dytë, Prof. Dr. Nexhmedin Spahiu, tha se libri ka vlerë dokumentare pasi aty përfshihen statuti dhe programi i LRBSH, biografitë e shkurtra të aktorëve të rezistencës si dhe aktiviteti i tyre.

Spahiu u përqendrua tek programi i LRBSH i prirë nga Demaci (1964), për të cilin tha se mund të konsiderohet programi i tretë kombëtar pas atij të Sami Frashërit (1899) dhe Mehdi Frashërit (1930).

“Ky program kombëtar nisej nga premisa që populli shqiptar në ish Jugosllavi nuk është komb dhe shtronte rrugën se si të krijohet si komb. Përveç kësaj, ajo çfarë e bënë të rrallë në botë ndoshta unikat këtë program, është ajo se programi u shkrua me frymë politike të majtë”,tha ndër të tjera Spahiu.

Ndërkaq duke folur për librin “Adem Demaçi në gjykimin e tretë” (1975), profesor Miftar Kurti tha se Adem Demaçi dhe shokët e idealit e trasuan rrugën lirisë.

“Grupi prej 35 shqiptarësh në krye me bacën Adem, i cili u dënua në Procesin e montuar politik të Prishtinës më 1975, ishte zëri i lirisë. Të dënuarit e këtij procesi politikë i hapën rrugën luftës çlirimtare që kulmoi me luftën e UÇK-së. Ky libër është një nga dëshmitë e rralla e të veçanta që i flasin kohës, historisë dhe ardhmërisë”, tha ai.

Autori i librave që u promovuan, Selatin Novosella, tha se ndjehet mirë kur sheh kaq shumë dashamirë të librit që e nderojnë dhe respektojnë simbolin e rezistencës kombëtare, Bacë Adem Demaçin. Ai sidomos vlerësoi praninë e një numri të nxënësve dhe studentëve në sallë ku po promovoheshin librat.

Pas promovimit të librit, veprimtarët Novosella e Braha dhe pjesëmarrës tjerë të takimit, vizituan parkun e emërtuar në të cilin ishin vendos edhe tabelat me emrin e simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi.

dsc_0130

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme