Qytetarë të rrethit të Kukësit kanë njoftuar se nesër do të protestojnë pranë doganës së Morinës, pasi Qeveria Kurti ndërmori masa të njëanshme ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe atyre që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, kështu duke penguar veçanërisht qarkullimin e qytetarëve që punojnë në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka vendosur masa të rrepta sa i përket qytetarëve që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, duke ua kërkuar tri doza ose dy doza dhe testin PCR, i cili kushton hiç më pak se 30 euro.
Nga këto masa janë prekur më së shumti qytetarët nga Shqipëria në veçanti ata të rrethit të Kukësit, të cilët kanë bërë thirrje që nesër në orën 10:00, të protestohet pranë doganës së Morinës, me kërkesën e qarkullimit të lirë të shtetasve të Shqipërisë.
Ndërsa, ka pasur reagime të shumta, duke i konsideruar këto masa të pa logjikshme ku tashmë Kosova është bërë vatër e vetë infektimit.
Qytetarë të shumtë që ia mësynë Kosovës u përballën me ndalim e kthim prapa pasi kërkoheshin 3 dozat e vaksinës në mënyrë që të lejohej hyrja në Kosovë.
E për këtë kishte reagime të shumta, që kritikonin ashpër Qeverinë Kurti për këtë vendim, duke thënë se ishte i panevojshëm pasi për hyrjen në Shqipëri, dhe në vendet fqinje nuk ka ndalesa të tilla.
“Shterngimi i masave te udhetimit ska asnje rol mbrojtes ne kete faze epidemike ne te cilen gjendet Kosova! Pse?! Sepse me kete marsh pozitiviteti qe kemi, ne tashma jemi vet burim i qendrueshem dhe i vetmjaftueshem infeksioni.
Cka dmth, se nuk qon peshe ma se kush vjen e kush hyn ne vend”, është shprehur mjeku Visar Berisha.
Ndërsa ka pasur reagime edhe nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku është kërkuar nga qeveria e Kosovës që ri-shikohen masat e vendosura sa i përket qytetarëve që vendosin të hynë në Kosovë nga ky shtet.
Lidhur më këtë është deklaruar edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Ai tha se ky vendim i befasoi dhe nuk e kupton arsyen e një mase të tillë, pasi që gjendja me Covid-19 është e njëjtë në të dyja vendet.
“Vendimi i fundit i autoriteteve shëndetësore kosovare na befasoi dhe nuk e kuptoj arsyen për një masë të tillë, sepse situata shëndetësore është e njëjtë si në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut a po edhe në Shqipëri, ndërsa OBSH dhe vendet perëndimore po shqyrtojnë largimin e kufizimeve. Shpresoj që Qeveria e Kosovës do ta shqyrton këtë vendim gjatë javës që vjen dhe do të rikthen masat paraprake”, thotë ai.
KËTU mund t’i lexoni të gjitha masat e vendosura nga qeveria e Kosovës.