Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në mungesë të dokumentacionit ka shtyer për të premten votimin për Shqyrtimin e vendimit të qeverisë lidhur me Ndërmarrjen “Qendra, shoqërore, sportive, kulturore dhe ekonomike Pallati i Rinisë”, raporton Ekonomia Online.
Komisioni mori vendim që për “Pallatin e Rinisë” të vendoset pasi të kompletohet dokumentacioni i nevojshëm nga AKP, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Komuna e Prishtinës, i cili u tha që do të vije të premten.
Qeveria me 22 dhjetor të vitit të kaluar i ka propozuar Kuvendit që “Pallati i Rinisë” t’i kalojë në pronësi komunës së Prishtinës në mënyrë që të mos menaxhohet më nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Kryetarja e Komisionit Sala Berisha Shala, tha se dokumenti i dërguar në Komision nga ana e qeverisë nuk është i qartë mjaftueshëm, prandaj edhe u duhen më shumë sqarime se i përket kësaj cështje.
“Siç e dini në Kosovë ndërmarrjet kategorizohen si ndërmarrje publike dje shoqërore, dhe ky aset hyn në kategorinë e ndërmarrjeve shoqërore ku AKP mund ta menaxhoj. Duke analizuar me vëmendje vendimin e qeverisë, nuk e bëjnë të qartë vendimin e qeverisë duke u nisur nga dokumentu ku i thuhet vendim. Ndoshta kjo është lëshim teknik sepse qeveria është dashtë me ju drejtu kuvendit me një propozim vendim. ecuria e kësaj ndërmarrje ka krijuar shumë paqartësi. Është vendim që nuk duhet ta trajtojmë me nguti. 2016 AKP ka marrë vendim për me qu në Likuidim pallatin e rinisë”, tha ai.
Dardan Sejdiu, nga Vetëvendosje, se vendimi për “Pallatin e Rinisë” duhet të shkoj sa më parë në Kuvend, ngase ka zotime nga BE sa sapo të qartësohet pronësia do të investohet aty.
“Ky diskutim ka filluar qysh në kohen kur kryeministër ka qenë Isa Mustafa. AKP ka fillu procedurën e likuidimit për shkak të kamatave. Të gjitha këto janë bërë në bashkërenditje me AKP. Do i lus anëtarët që sallën e pallatit të Rinis mos ta vonojmë por ta dërgojmë në kuvend. Pallati i Rinisë është ndërtuar prej kontributit të qytetarëve të Prishtinës”.
“Mendoj që rruga përpara është fare e qartë dhe e lehtë. Çdo lëvizje prej këtij propozimi krijon hala më shumë telashe për këtë ndërmarrje e cila është duke operuar në borxhe e përderisa kemi zotim nga BE se posa që të qartësohet vendimi, do të investohet. Kemi pajtim të qeverisë dhe të komunës. Tash e kemi propozim vendimin e qeverisë që kërkon që kjo ndërmarrje të kalojë në publike”, tha ai.
Mimoza Kusari tha se “Pallati i Rinisë” duhet të kaloj në pronësi të komunës.
“Unë pajtohem që pallati i rinisë të kalojë në pronësi të komunës. Cilido vendim që vjen nga qeveria ka mungese të informatave. Këtij materiali të deputeteve i mungon vendimi i kuvendit të komunës, a ka shprehur interes të veçantë, a ka kaluar nëpër procedurë të administratës, sepse mungojnë, pse komuna e Prishtinës ka marrë vendim pasi ka shkuar në likuidim”, tha ai.
Hykmete Bajrami, tha se ky vendim duhet të dërgohet nga sot në Kuvend.
“Ju konfirmoj qe kjo iniciative është bërë në pajtueshmëri me kryeministrin dhe kryetarin e AKI. Është një vendim i cili është draftuar shumë më herët. Un mendoj që do të duhej të përcillej sot në kuvend por që ta obligojmë administratën ti bashkëngjisë dokumentet të cilat mungojnë”, tha ajo.
Ndërkohë lidhur me këtë pikë, u vendos që të shqyrtohet pasi të kompletohet dokumentacioni i nevojshëm nga AKP, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Komuna e Prishtinës, i cili u tha që do të vije të premten në ora 10.
Me votim unanim, kanë kaluar pikat e rendit të ditës, Projektligji për Miniera dhe Minerale, Projektligji për Pajisjet nën Presion si dhe Projektligji për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës.