Prishtinë- Për shkak të mungesës së përfaqësuesit të “Doni 3” sh.p.k, avokatit Fitim Gashi, është konsideruar e tërhequr padia, në rastin ku paditësi po kërkon nga Departamenti për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë kompensimin e dëmit nga mospërmbushja e marrëveshjes.
Gjyqtari i çështjes Bajram Miftari konstatoi se në shkresat e lëndës gjendet fletëdorëzimi që vërteton që përfaqësuesit të autorizuar të paditësit, avokati Fitim Gashi, i është dorëzuar ftesa për pjesëmarrje në seancën e sotme megjithatë i njëjti nuk është paraqitur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përfaqësuesi i autorizuar i të paditurve, Prenk Pepaj, kërkoi nga gjykata që padinë ta konsiderojë të tërhequr.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 20 nëntor 2018, paditësi “Doni 3” sh.p.k. me pronar David Gojanie ka paditur për kompensimin e dëmit nga mospërmbushja e marrëveshjes të paditurit Konzercium “ Jakova & Partneret”, Niki Bajrami, Ylli Bajrami, Leonard Marki dhe Ilir Uka.
Sipas padisë thuhet se paditësi si një biznes për prodhimin e qumështit, djathit dhe bylmeteve si tjera ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me të paditurit, sipas marrëveshjes mbi shitblerjen e aseteve të saja, pra qumështores “Doni 3”. Sh.p.k Gjakovë me qëllim që të krijohet një biznes i ri, i cili është regjistruar emrin “NIKI-S & DONI”, sh.p.k, aksionet e të cilit janë shpërndarë në pesë aksionarë, David Gojani më 30% të aksioneve, të paditurit “Jakova &Partnerët” të aksioneve (Leonard Marki 28%, Naki Bajrami 14%, Ylli Bajrami 14% dhe Ilir Uka 14 %).
Në padi thuhet se sipas marrëveshjes, i padituri ka marrë obligime që të përmbush dhe përmbyllë borxhin që paditësi e ka pasur ndaj ProCredit Bank, Prishtinë, shumën prej 283,401.00 euro, pastaj obligimet e paditësit për energji elektrike, tatimet në ATK, tatimi në pronë, si dhe obligimet ndajë ujësjellësit dhe mbeturinave.
Tutje, në padi thuhet se i padituri gjithashtu ka marrë obligim që të kryejë të gjitha investimet për fazën e parë operative lidhur me aktivitetet ekonomike të biznesit të ri “NIKI-S & DONI”. Sh.p.k., duke e përjashtuar paditësin nga pagesa e këtyre investimeve për periudhën 100 ditësh, mirëpo i njëjti ka pasur të drejtë në devidentën mujore për 30% , të të ardhurave nga prodhimi dhe shitja e produkteve.
Më tutje, padi thuhet se nga i padituri fillimisht është paguar një pjesë e borxhit prej 60 mijë euro ndaj bankës ProCredit Bank, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur të paguhej deri në fund të muajit qershor 2018.
Siç thuhet në padi edhe pse kishte prodhim në masë të madhe , kishte qarkullim të të ardhurave devidenta nuk shpërndahej asnjëherë tek paditësi, si aksionari kryesor edhe pse brenda periudhës 4 mujore, kishte kaluar shuma 140 mijë euro, investimet operative të fazës së parë, siç ishin përcaktuar në marrëveshje të paditurit nuk i bënin plotësisht po ashtu paditurit fare nuk e lejonin qasje në librat e kontabilitetit, pasqyrat financiare dhe librat e shitjes paditësit si aksionar kryesor.
Përveç kësaj në padi thuhet se paditësi kishte drejtuar shumë kërkesa me shkrim dhe verbale në drejtim të të paditurve për të përmbushur obligimet e marra me marrëveshje, e veçanërisht për të përmbushur obligimin që ishte ndaj ProCredit Bank, për këtë të paditurit edhe për kundër zotimit të tyre në njoftim me shkrim që do ta bëjnë një pjesë të pagesës së borxhit ndaj ProCredit Bank, në tre këste më së largu në fund muajit gusht 2018, nuk e kanë bërë një pagesë të tillë.
Tutje, padi thuhet pasi që të paditurit kanë dështuar që të kryejnë obligimin ndaj bankës dhe si rezultat i një situate të tillë të njëjtit nuk arritën dhe refuzuan që të përmbushin marrëveshjen mbi shëtitjen e aseteve, çka edhe e shkëputen bashkëpunimin me paditësin.
Gjithmonë sipas padisë thuhet se “NIKI-S & DONI”, sh.p.k nga 26 shkurt 2018 kur është krijuar, e deri më 17 shtator 2018, i njëjti ka gjeneruar të ardhura mbi 185.357.979 euro dhe nga gjithë ky qarkullim paditësi nuk ka marrë asnjëherë devidetën, për pjesën e aksioneve të tij, që kanë qenë 30%, duke ia mohuar kategorisht të paditurit, me arsyetimin se të njëjtit janë duke investuar në lëndën e parë në prodhim.
Sipas padisë thuhet se të paditurit me rastin e mospërmbushjes së marrëveshjes, i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm paditësit, duke filluar me borxhin të cilën e ka pasur ndaj Procredit Bank, të cilët nuk e kanë përmbushur të paditësit përveç shumës prej 60 mijë euro, ndërsa shuma prej 223 mijë e 401 euro ende ka mbetur e pa paguar, e cila tani i bie barrë paditësit.
Tutje, në padi thuhet se paditurit kanë përvetësuar të gjitha të gjitha mjetet të cilat kanë qenë në qarkullim nga veprimtaria e biznesit “NIKI-S & Doni”, sh.p.k, shumën prej 185, 357.979 euro, në të cilën shumë paditësi ka pasur të drejtën e 30%, shumën 55, 67.393 euro, por të cilat të paditësit i janë mohuar.
Më tutje, në padi thuhet se paditësi ka pësuar dëm nga mospërmbushja e kësaj marrëveshje nga të paditurit të cilat janë premtuar dhe kanë pasur të bëhen në biznesin e përbashkët dhe të njëjtat nuk janë bërë siç janë specifikuara në nenin 3 të marrëveshjes, e të cilat pajisje do të përcaktohen dhe do të vlerësohen nga një ekspert kompetent.
Po ashtu në padi thuhet se nga mospërmbushja e marrëveshjes paditësi ka humbur mundësinë për ngritjen dhe zhvillimin e projektit të tij në biznes, pasi që edhe qëllimi i hyrjes në marrëveshje me të paditurin ka qenë krijimi i një biznesi të suksesshëm.
Në padi thuhet se për të gjitha këto i propozojnë gjykatës, që për të vërtetuar dëmin i cili i është shkaktuar paditësit si rezultat i mospërmbushjes së kësaj marrëveshje, të caktoj ekspertin nga lëmi financiar i cili në mënyrë të pavarur do ta bëjë vlerësimin e dëmit duke përfshirë mos pagesën e borxhit ndaj ProCredit Bank, mospërmbushjen e marrëveshjes sa i përket investimeve themeltare dhe atyre kapitale, dëmin si rezultat i mos shpërndarjes së devidentës, si dhe dëmin për shkak të prishjes dhe cenimit të imazhit të paditësit, humbjes së besimit të klientelës dhe largimit nga tregu i shitjes së produkteve të bylmetit./BetimipërDrejtësi