Korrupsioni është duke e sfiduar Policinë e Kosovës. Viteve të fundit është venë në pikëpyetje roli dhe funksioni i kontrollit të brendshëm të këtij institucioni për luftimin e korrupsionit.
Dyshimet për korrupsion të policëve të trafikut deri te akuzat për përfshirje të zyrtarëve të lartë policisë në mbylljen e qëllimshme të hetimeve duke marrë si kompensim shuma të majme të parave janë disa nga rastet e bëra publike vitin e fundit, shkruan sot Koha Ditore.
Policia e Kosovës është duke u sfiduar fuqishëm edhe për punën e saj profesionale. Më shumë se gjysma e kallëzimeve penale që Policia e Kosovës dorëzon në Prokurorinë e Shtetit rrëzohen nga prokurorët. Shumica prej tyre janë kallëzime të përgatitura dobët dhe pa prova të mjaftueshme, që do të dëshmonin dyshimin e arsyeshëm për mundësinë që dikush mund këtë kryer vepër penale.
Hetime që hetuesit policorë nisin vetëm me letra anonime pa bazë të mirëfilltë që dikush ka kryer veprim kriminal kanë ngritur dyshimet se kjo instancë nis këto hetime më shumë për të shantazhuar persona të caktuar sesa për të vendosur drejtësi.