Në Onkologji përurohet shërbimi i Brahiterapisë, pacientët s’do të kenë nevojë për trajtim jashtë vendit

Prishtinë | 17 Dhj 2020 | 09:29 | Nga Aulona Sylaj

Në Klinikën e Onkologjisë në QKUK është bërë përurimi i Shërbimit të Brahiterapisë. Me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se kjo është aparaturë që mungon në shumë vende të rajonit.

“Ky është një shërbim i ri, i cili ka munguar në Kosovë për trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje, të cilët këtë shërbim, deri tash, e kanë marrë jashtë vendit”

Pajisja për shërbimin e brahiterapisë për fillim do të përdoret për rrezatim të brendshëm lokal për sëmundjet malinje gjinekologjike, ndërkohë që, do të punojmë edhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Onkologjisë, me qëllim që shërbimet për pacientët me sëmundje malinje të jenë sa më gjithëpërfshirëse në vendin tonë” ka thënë ai.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi tha se, ky shërbim do të fillojë të ofrohet që nga janari i vitit të ardhshëm dhe se pacientët nuk do të kenë nevojë të kërkojnë shërbime jashtë vendit.

Përderisa u.d i drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi tha se edhe në kohë të pandemisë nuk mungon angazhimi që pacientëve tu ofrohen shërbime cilësore dhe në kohë, sidomos atyre me sëmundjen e kancerit.

Të ngjashme