Pas mbylljes së vendvotimeve në ora 19:00, tri televizione nacionale kanë paralajmëruar publikimin e exit polleve të tyre.
Autorët që kanë organizuar këto matje kanë dhënë disa detaje.
Ata kanë paralajmëruar se rezultate për disa komuna do të jenë dramatike.
Gazetari Adriatik Kelmendi ka dhënë disa detaje rreth Exit Polli-t që po e organizon Klan Kosova për zgjedhjet e sotme.
Autori i emisionit “Rubikon” ka thënë se gjysma e komunave të mëdha do të shkojnë pa balotazh.
“Kush e ka përcjellur “Rubikonin” kohëve të fundit pak a shumë mund t’i dijë edhe trendet, ashtu po shkojnë. Mund të themi se nëse vazhdon kështu, ndoshta gjysma e komunave do të shkojnë pa balotazh, gjysma e komunave të mëdha dhe ka garë në të tjerat”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Ndoshta zbulova që thash në shtatë komuna, gjysma mund të shkojë pa balotazh, por në këto tjerat i bie se ka garë dhe do të ketë garë deri në mbylljen e vendvotimeve, kështuqë të gjithë ata se mendojnë që kanë dikë për kë duan të votojnë, mos ta lënë të mos votojnë, le të dalin se do të numërohet secila votë dhe secila votë mund ta sjellë ndryshimin”, ka deklaruar Kelmendi.
Edhe gazetari Baton Haxhiu, ka paralajmëruar befasi.
Duke dhënë detaje për exit polin që do të publikohet në televizionin T7, ai ka thënë se në Prishtinë po bëhet “betejë e fortë”.
“Prishtina… e Jashtëzakonshme si garë, e jashtëzakonshme si betejë në çdo gjysmë ore të votimit dhe rezultati nuk dihet deri në momentin e fundit”, ka thënë ai.
Sipas tij, befasi tjetër do të jetë Mitrovica.
“Tri të tjera janë afër t’i ikin balotazhit. Njëra është me një përqindje prej 1.4 – 1.5% dhe është shumë afër që ta ruajë këtë rezultat dhe të shkojë pa balotazh”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Kurse te tri të tjera… rezultati te njëra është 49.2%, te tjetra është 48.8. Pastaj te tjetra është 47.8. Këto tri komuna, deri në momentin e fundit nuk e dimë a do të ketë balotazh apo jo. D.m.th, dy dihen sigurt, e treta është 90 me 10%, kurse tri tjera, të cilat janë komuna të mëdha, mund të shkojnë gjithashtu pa balotazh”, është shprehur Haxhiu.
Procesi pa pengesa
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar përditësimin e fundit për daljen në zgjedhje.
Deri më tash kanë votuar mbi 500 mijë qytetarë, apo rreth 25%.
Në një konferencë për media, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se deri me tani procesi po zhvillohet pa ndonjë pengesë.
“Komisionet komunale të zgjedhjeve, procesi i votimit deri në këtë kohë po zhvillohet qetë dhe pa pengesa. Deri më tani nuk kanë evidentuar parregullsi që do të ndikonin në integritetin apo rrjedhjen e përgjithshme të zgjedhjeve. KQZ mbetet në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhorë nëpër komuna dhe institucionet të ndryshme”, ka deklaruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Me qëllim që të garantohet zbatimi i plotë i ligjit dhe rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit. Në të gjitha ato rastet ku ka paqartësi ose problematika të ndryshme, KQZ është duke i trajtuar në kohë më shpejtësi dhe duke i dhënë zgjidhje”, ka thënë Radoniqi.