Haqif Mulliqi na iku shumë herët. Nuk po mund të besoj se ai më nuk ësjhtë në mesin tonë. Do ti mungojë shumë, jo vetëm familjes, por edhe të gjithë neve kolegëve, gazetarëve, publicistëve, dramaturgëve, studentëve, mbarë shoqërisë shqiptare. Ai është i pavdekshëm, sepse na la shumë vepra, la shumë gjurmë në historinë tonë më të re.
Pata fatin që Haqifiin ta njoh në vitet nëntëdhjetë. Mirëpo, më së shumti dhe më së miri e njoha gjatë periudhës së luftës dhe pas saj. Bashkëpunonim për t’i sjellë opinionit njohuri për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse nuk ishte lehtë që të depërtonim në zonat e luftës. Haqifi me shkrimet, intervistat e tij gjithnjë krijonte opinion opinion pozitiv për kauzën e drejtë të luftës sonë çlirimtare, duke e mbështetur atë si intelektual i guximshëm dhe vizionar. Të rrallë ishin gazetarët që kishin kontaktuar me Komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jashari, me vëllain e tij Hamzën, me Ilaz Kodrën, Sami Lushtakun dhe me drejtuesit e tjerë të luftës. Haqifi me bashkëshorten e tij Shpresën zhvilluan edhe intervista ekskluzive me ta, duke afirmuar aspiratën e popullit tonë për liri e pavarësi.
Pas luftës kisha rastin që të bashkëpunoj me kolegun dhe mikun tim Haqif Mulliqin. Ai gjithnjë ishte i gatshëm që të më mbështeste në realizimin dhe promovimin e projekteve të mia. I gëzohej punës sime. Kështu pa hezitim pranoi që të fliste në promovimin e filmit dokumentar “Mbijetesa” në tetor të vitit 2007. Vlerësimet e tij për punën time dhe të kameramanit Abaz Zeka gjatë periudhës së luftës ishin mbi të gjitha vlerësime prej profesionisti dhe motivuese. Ndërkaq, kur vendosa ta shkruaj dhe botoj librin tim autobiografik “LIBRI I LUFTËS”, e kontaktova mikun tim Haqif Mulliqin dhe shumë u gëzua për këtë projekt publicistik. Në fjalën e tij si redaktor i librit, pos tjerash pat deklaruar “Momentet më “të mira” për gazetarinë janë ato të kohës kur një popull e ka më së vështiri. Dhe, besoj se mu këtë u përpoq të na e dëshmojë në rastin e tij gazetari dhe publicisti Nuhi Bytyçi, madje duke e sjellë këtë ide që në vetë titullin e librit të tij me memoare “Libri i luftës”, të cilin sot mund ta ketë në duar lexuesi shqiptar.
Në gazetari thuhet se raportimi nga lufta është kulmi i profesionit tonë. Po ashtu edhe ajo se lufta është tregimi më i madh dhe më sfidues që mund të ndodhë në jetë, ngase ajo “i jep gjithçka” një gazetari për t’u dëshmuar në profesionin e tij. Mirëpo, për ta dhënë kontributin e vet të nevojshëm si profesionist, gazetari i luftës para së gjithash duhet të shkojë tek ajo luftë për të raportuar, mu ashtu siç e bëri miku ynë Nuhi Bytyçi, detajet e odhiseiadës së të cilit, si gazetar i guximshëm, profesionist dhe i përkushtuar, si kronist i një kohe i mësojmë në lundrimin tonë si lexues nëpër dymbëdhjetë kapitujt e librit të tij mbi luftën dhe paqen e gënjeshtërt, që përfshin një hark kohor prej më se katër dekadave.”
Takoheshim shpesh me Haqifin. Përherë ishte i këndshëm në komunikim, i afërt si shok, mik i vërtetë. Bisedonim për projektet e tij të reja publicistike, në dramaturgji dhe në zhanre tjera. Gëzohesh shumë edhe për projektet e mia dhe të kolegëve tjerë. U ftuam që në maj të këtij viti të bashkë të merrnim pjesë në një tryezë në Prizren me kumtesa lidhur me rolin e mediave në afirmimin e vlerave të luftës së UÇK-së. Komunikova përmes telefonit me mikun tim dhe ai më tha: “Vëllaçko do ta përgatis me gjithë dëshirë kumtesën në këtë temë dhe do të shkojmë bashkë në Prizren”. Mirëpo, ditën e mbajtjes së tryezës më informoi se por për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore nuk do të mund të merrte pjesë. Mungesa e tij në këtë tryezë u vërejt shumë.
Haqif Mulliqi do të na mungojë shumë si mik, si koleg, profesor dhe intelektual i jashtëzakonshëm. Kujtimi për të nuk do të zbehet kurrë. Veprat e tij do të na shërbejnë si shembull se si një intelektual i tillë si ishte ai, ishte përherë në shërbim të publikut.