Nga fillimi i këtij viti deri tani, shumë liderë, evropianë dhe botërorë, kanë parakaluar në Beograd. Ndër ta janë padyshim më të rëndësishmit krerët e dy shteteve evropiane, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. Kështu, Aleksandar Vuçiq, as i fajshëm as i pafajshëm, u gjend në qendër të interesit të Perëndimit, kryesisht për shkak të interesit ekonomik dhe kapitalit që sjell nxjerrja apo minierat e litiumit në Serbi. Pikërisht për këtë arsye, kanë ardhur me radhë lavdërime për Serbinë, e cila asnjëherë nuk ka qenë më pranë diktaturës.
Mbështetje të lartë, regjimi diktatorial e ka marrë këto ditë edhe nga vetë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila në Beograd, në ditën e mbajtjes së BRICS-it, i dha Vuçiqit mirënjohje për reformat në aspektin e demokracisë. Një qasje e tillë në Serbi interpretohet si një qasje “e ndarë nga realiteti.” Sepse në raportin e Freedom House-it, organizatë për të drejtat e njeriut dhe promovimin e demokracisë, thuhet se Serbia ka shënuar rënien më të madhe të demokracisë në dhjetë vitet e fundit. Rënia është regjistruar në katër nga shtatë fushat: procesin zgjedhor, mediat, qeverisjen lokale demokratike dhe në fushën e gjyqësorit.
Të gjithë zyrtarët evropianë të përmendur më parë duket se kanë harruar zgjedhjet e dhjetorit në Serbi, ku liria e zgjedhjeve praktikisht nuk ekziston. Madje, është miratuar një rezolutë e Parlamentit Evropian, në të cilën i kërkohet Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Ursula von der Leyen, të kryejë një hetim ndërkombëtar për vjedhjen zgjedhore. Megjithatë, për shkak të lëshimeve ndaj Perëndimit, shitjes së armëve Ukrainës, blerjes së avionëve luftarakë “Rafale,” minierave të litiumit, Ursula, ashtu si zyrtarët e saj të mëparshëm evropianë që kanë zbutur retorikën, ka harruar se në Serbi ushtrohet presion mbi mediat, digjen shtëpitë e gazetarëve, si dhe ndryshimet në kodin penal që janë në përgatitje, e që nëse miratohen, burgosja do të jetë pasoja për publikime në rrjetet sociale apo për thirrje për protestë. Në rrethana të tilla, lavdërimi i regjimit për përparimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit është një odë e pastër hipokrizie.
Në këto lavdërime ka reaguar më ashpër politikani opozitar Dragan Gjilas, i cili e pyeti Ursula von der Leyen nëse e di në cilin vend ka qenë dhe se me sjelljen e saj dhe mbështetjen ndaj një personi që është “shefi i një grupi të organizuar kriminal,” i jep goditjen më të fortë idesë së Bashkimit Evropian dhe poshtëron të gjithë ata që besojnë në këtë ide. Vërtet është e turpshme që për shkak të litiumit dhe interesave shprehen të gjitha ato lavdërime për pushtetin në një vend që është kampion evropian në korrupsion dhe krim.
Është thjesht amorale që Serbia e Vuçiqit të ngrihet dhe të lavdërohet kaq shumë, në të cilën opozitarëve u thyhen kokat, u digjen makinat dhe i largojnë nga puna. Dhe një vend i tillë quhet si më i avancuari në procesin e integrimit në BE.
Megjithatë, në një shtet ku sundimi i ligjit nuk ekziston dhe ku së shpejti mund të mos ketë as liri të fjalës, deklarata të tilla dhe të ngjashme vrasin dhe këtë mbështetje të ulët të qytetarëve për integrimet evropiane.
Hulumtimet tregojnë se për anëtarësim në BE janë 43% e qytetarëve, ndërsa për BRICS-in 42%. Manovrat taktike midis BRICS-it dhe BE-së, për të cilat Aleksandar Vuçiq i dërgon mesazhe BE-së, janë karta e qartë, si dhe ulja në dy karrige, për të cilën Vuçiqi llogarit të sundojë edhe në të ardhmen, dhe për këtë arsye, sigurisht, “në litium e puthin”.
Vetëm të kalojë kjo, e për vlerat evropiane, vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe dialogun e pasuksesshëm me Kosovën duket se nuk shfaqet aq shumë si një çështje e madhe kur litiumi është çështja e të gjitha çështjeve.
Ah, ky është mjerim.