Në pjesën e parë të muajit janar në Kosovë kanë kërkuar azil 154 persona. Deri në 12 ditë azilkërkuesit po qëndrojnë në Kosovë për tu larguar më pas në vendet e tjera të Evropës.
Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion Valon Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Kosova po shfrytëzohet si vend transit për azilkërkuesit.
“Ne ende jemi duke u përdorur si vend transit, ashtu siç po përdoren të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë, ne nuk jemi destinacioni mirëpo tani një pjesë e tyre po e shfrytëzojnë rrugën edhe Kosovën për të emigruar në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Kjo shihet edhe me mesataren e qëndrimit të tyre në Kosovë, vitin e kaluar e kemi nxjerr një mesatare të qëndrimit kanë qenë 12 ditë qëndrimi i një azilkërkuesi në vendin tonë, pas 12 ditëve ata kanë vendosur që ta lëshojnë qendrën e azilit edhe Kosovën dhe të shkojnë në drejtimet të tjera”.
“Edhe këtë vit ka vazhduar trendi pak a shumë i njëjtë vetëm gjatë këtyre ditëve të janarit kemi 154 azilkërkues të cilët janë akomoduar një pjesë e tyre në Magure dhe një pjesë e tyre janë akomoduar në objektet e azilit në Vranidoll”.
Por përkundër kësaj shifre Krasniqi shprehet se ky nuk konsiderohet një fluks i emigrantëve. Por ai thotë se edhe nëse rritet numri i atyre që kërkojnë azil janë të gatshëm që të menaxhojnë.
“Ne më qëllim që të menaxhojmë sa më mirë një fluks më të madh, ne ende nuk e konsiderojmë këtë si fluks masiv përkundër rritjes që është e konsiderueshme në një gjendje emergjente, por përkundër këtij fakti ne nuk kemi qëndruar duarkryq, kemi hartuar një plan të reagimit për menaxhimin e një fluksi të emigrantëve dhe të refugjatëve i cili plan është aprovuar nga Qeveria e Kosovës”.
Krasniqi tregon se në vitin që lamë pas ka pasur rritje të konsiderueshme për 600 personave në krahasim me vitin 2018.
“Në krahasim me vitet e kaluara po e zëmë në kohën që quhej ‘kriza me refugjatë’ që përfshiu disa shtete të Ballkanit Perëndimorë, për shembull në vitin 2015, mirëpo ajo ishte një kohë që emigrantët e kishin evituar Kosovën si njëra prej rutave që i shpinin drejt Bashkimit Evropian mirëpo në vitin 2019 kemi pasur një rritje të konsiderueshme të kërkesave për azil. Nga 1 janari deri më 31 dhjetorë të vitit 2019 kemi pasur mbi 2080 azil kërkues, që me krahasuar me vitin paraprak të vitit 2018 që kemi pasur afërsisht 600 është një rritje e konsiderueshme”.
Ai tregon se azilkërkuesit janë kryesisht nga vendet si Maroku, Algjeria, Palestina, Iraku e Irani, ndërsa kushtet që i ofrojnë në këto qendra janë sipas standardeve ndërkombëtare.
“Azilkërkuesit dominojnë nga Siria mirëpo kemi edhe nga Maroku, Algjeria, Palestina, Iran, Irak, Afganistan këto janë ato shtetet prej të cilëve ne pranojmë azilkërkues. Ne kemi një qendër nacionale për azil ku akomodohen azilkërkuesit, për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve, dhe duke e pasur parasysh që Qendra për Azilkërkues në Magure kishte kapacitet e limituara ne u deshtë të investojmë në kapacitete shtesë, kemi investuar në rritjen e kapaciteteve të akomodimit me dy objekte të tjera që gjinden në Vranidoll, me një kapacitet prej 200 personave”.
“Kushtet në qendër janë sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, ky nuk është vetëm konstatim i yni mirëpo është konstatim i të gjithave organizatave të cilave kanë vlerësuar kushtet në raportet e tyre, qoftë raporti i vendit qoftë raporti i UNCHR-së dhe raporteve të organizatave të tjera”.
“Edhe gjatë bisedave me azilkërkuese ata janë shumë të kënaqur me pritjen me kushtet që i ofron qendra me shërbimet që u jepen aty, mirëpo janë arsye të tjera me gjasë ekonomike që e bënë Kosovën jo atraktive të qëndrojnë këtu, synimi i tyre është që të migrojnë në vende të zhvilluara të Bashkimit Evropian”.
Drejtori i këtij departamenti tregon se shumica e azilkërkuesve në këto qendra nuk i plotësojnë kushtet për marrje të asistencës për shkak se nuk qëndrojnë gjatë në Kosovë.