Inspektorati regjional për Arsim në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit ia kanë vënë drynin objektit të shkollës fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Plitkoviq me arsyetim se numri i vogël i nxënësve nuk i plotëson kushtet për procesin mësimor.
Deri tashti në këtë objekt shkollor kanë mësuar gjithsej 6 nxënës të moshave të ndryshme, por në një klasë të kombinuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Komuna e Lipjanit ka marrë për obligim që nxënësve t’ua sigurojë transportin falas deri në objektin e shkollës amë në fshatin Gadime.
Mirëpo ish-mësimdhënësi i këtyre nxënësve, Xhafer Thaçi, njëherësh prindër i 3 nxënësve në këtë shkollë, tashmë ka mbetur pa punë derisa kontrata e tij i ka skaduar dhe nuk e ka kualifikimin e duhur për mësimdhënës, ndërkohë që Komuna nuk ka arritur t’ia sigurojë ndonjë vend tjetër të punës.