Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka organizuar pritje për fundvit për udhëheqësit institucionalë të Republikën e Kosovës, si dhe për përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Në këtë ngjarje, duke iu drejtuar të pranishmëve, presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova po e përmbyll një vit të suksesshëm, derisa kryeministri Ramush Haradinaj foli për “sfida të trashëguara”, raporton Ekonomia Online.
“Mund te themi ka qenë vit i suksesit për Kosovën; i konsolidimit të brendshëm të shtetit por edhe në rrafshin ndërkombëtar”, u shpreh ai.
“Është nder dhe kënaqësi të jemi të gjithë së bashku sot këtu. Jemi në një moment të rëndësishëm për vendin tonë, në përmbylljen të këtij viti, vit i sfidave, i suksesit”.
Thaçi tregoi se pikërisht sot pranoi raportin e punës për 100-ditshin e punës së Qeverisë së Kosovës. “Kemi bërë një punë të mirë, të gjitha institucionet, e të gjithë ballafaqimet, vështirësitë që i kemi pasur”.
“Kulminacion i gjithë kësaj është nënshkrimi i marrëveshjes së projektit ‘Kosova e Re’, për të cilën kemi punuar qe një kohë të gjatë, për një dekadë dhe sot u nënshkruar ajo marrëveshje. Ky është projekt i rëndësishëm për shtetin tonë, ma i madhi në historinë e Kosovës të shënuar ndonjëherë. Do jete projekt që përfshin investim të madh me mbi 10 mijë vende të reja pune”, theksoi presidenti Thaçi.
E nikoqiri i kësaj mbrëmjeje, kryeministri Haradinaj tha se ky është një moment falënderimi për të gjithë të ftuarit për bashkëpunimin.
“Kosova ka sfida të mëdha; sfidat e Kosovës janë të trashëguara dhe të tashme. Do të kemi sfida që do të na vijnë, por duke qenë ekip, duke qenë bashkë, Kosova do të jetë storie e suksesit në planin e brendshëm, rajonal dhe ndërkombëtar”, u shpreh shefi i Qeverisë.