Komuna e Prizrenit vazhdon që të ketë dobësi në disa fusha të rëndësishme të qeverisjes, shkruan sot Koha Ditore.
Planifikimi dhe realizimi i buxhetit, prokurimi, të hyrat nga dhënia e pronës komunale me qira, menaxhimi i pasurive janë fusha që sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ende kërkojnë përmirësime. Konstatimet, lidhur me këto çështje, ZKA-ja i ka pasqyruar në raportin e Auditimit për raportin financiar të Komunës së Prizrenit për vitin 2016.
“Janë bërë klasifikime të shpenzimeve në kode të gabuara. Nga pagesat e testuara kemi vërejtur se Komuna nga kategoria ekonomike, investime kapitale kishte paguar 2.227.559 euro, të cilat për nga natyra janë mallra dhe shërbime, dhe subvencione e transfere. Prej tyre më kryesoret janë: grumbullimi dhe menaxhimi i mbeturinave (1.079.132 euro), mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve (474.955 euro), subvencionim për klubin futbollistik Liria (100.000 euro), transporti i arsimtarëve (48.770 euro), furnizim me farë gruri, misri, folie plastike (102.122 euro), etj. Kjo shumë ishte e aprovuar me tabelat buxhetore të Buxhetit 2016 si investime kapitale, por projektet e paraqitura në tabela, nuk përmbushin kushtet të trajtohen si projekte kapitale. Gabimet kanë të bëjnë me gabime në planifikimet fillestare nga Komuna dhe aprovimet jo adekuate nga ana e MF-së”, thuhet në raport.