Në organizim të shoqërisë civile është mbajtur protesta e tretë radhës, ku një numër i madh i qytetarëve po protestojnë përsëri për drejtësi, barazi para ligjit dhe për siguri civile e politike.
Përpos tri kërkesave të paralajmëruara – shkarkimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi; vettingu i gjyqësorit; pastrimi i listave të veteranëve – kërkesa e katërt e protestuesve është mbajtja e zgjedhjeve të reja, raporton Ekonomia Online.
Imer Mushkolaj nga shoqëria civile, në emër të protestuesve ka folur duke thënë se ditëve të fundit po luhet një lojë e ndytë në mes të partive politike.
“Të dashur qytetarë, këto dy ditët e fundit po luhet ni lojë e ndtyë në mes partive politike. Hashim Thaçi nuk po lejon të miratojë rezolutën, e cila ia ndalon atij që në Bruksel të bëjë pazare me territorin e Kosovës. Kushtetuta e vendit nuk po respektohet nga ai që duhet të jetë protektor i saj. Ai po e rrezikon shtetin e Kosovës duke bërë të diskriminueshme qenien e saj politike e juridike”, tha Mushkolaj.
“Deri më tani ne si qytetarë jemi përpjekur të japim kontributin që Kuvendi më të mos vazhdojë të mbetet vetëm si hapësirë për konferenca për partitë politike, është koha që pushteti të tregohet se është këtu jo për të bllokuar por për të qeverisur. Është koha që përgjegjësinë ta marrë edhe opozita seriozisht. Opozita nuk ka çka të kërkojë më tutje në hollet e Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
Mushkolaj i ftoi partitë opozitare që t’i bashkohen protestës dhe të angazhohen për organizimin e protestave të radhës, raporton EO.
“Formalisht dhe zyrtairisht sot iu kërkojmë partive opozitare, pa marrë parsysh nëse janë pjesë e LDK-së, VV-së, Social Demorkatike, etj., që t’i bashkohen thirrjes tonë për protestë dhe të angazhohen për organizimin e proestave të radhës për shpëtimin e shtetit”, shtoi Mushkolaj.
“Presidenti po përpiqet të krijojë vendimmarrje në Kuvend që takimin e radhës në Bruksel të krijojë parime për dialogun që do duhej të ishin të gatshme nga Kuvendi dhe të kenë platformën për bisedime dhe të caktojnë pikat e qarta, sot ne s’i kemi asnjërën nga këto”, shtoi Mushkolaj.
“Është koha që ne dhe të tjerët të bashkohemi në ditët në vazhdim për t’i thënë jo këtyre planeve që po bën presidenti për ta shndërruar Kosovën në shtet jofunksional dhe jo ideve të tij të rrezikshme dhe avanturave të tij”, tha ai.
“Protesta nuk ka devijuar nga kërkesat themelore, por konsiderojmë se adresa e kapjes së gjyqësorit dhe shtetit është te presidenti, te kryetari i kuvendit, që tjetër gjë e thotë dhe tjetër gjë vepron në realitet”.
Mushkolaj në fund njoftoi se protesta e radhës do të mbahet të mërkurën e ardhshme, ku të gjithë pjesëtarët e shoqërisë civile mund të bashkohen dhe qytetarët tjerë që duan të mirën e vendit.
Agnesa Qerimi nga organizata “Protestoj” në fund bashkë me protestuesit njëzëri kërkuan zgjedhje të reja në vend.