Shtetet e Bashkuara janë bërë vendi i parë në botë që i ka regjistruar mbi dy mijë viktima të Coronavirusit brenda një dite të vetme. Numri i të infektuarve në mbarë vendin tashmë ka shkuar në mbi 500 mijë njerëz.
Sipas të dhënave më të reja, vetëm të premten në Shtetet e Bashkuara kanë vdekur 2,028 njerëz nga Coronavirusi, duke e çuar në gati 19,000 shifrën e përgjithshme të viktimave.
Përpos viktimave, rritje të madhe shënoi edhe numri i të infektuarve. Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, në Shtetet e Bashkuara u regjistruan 35 mijë e 579 raste të infektimeve të reja.
Shtetet e Bashkuara tashmë janë në rrugë për t’u bërë vendi i parë për numrin e viktimave, sepse shifra e tyre është shumë afër asaj që është shënuar në Itali, e cila e mban tash për tash vendin e parë në botë në këtë aspekt.
Ekspertët kanë parashikuar se rreth 61 mijë persona do të vdesin nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara deri në muajin gusht.
Qeveria amerikane ka planifikuar që t’i largojë masat e izolimit pas 30 ditëve, që pritet të shkaktojë rritje të numrit të rasteve gjatë muajve të verës.