Në New-York, të hënën, u dha vaksina e parë kundër koronavirusit. E para ishte edhe në SHBA, një zhvillim që shënon një kthesë kritike në përpjekjet për të kontrolluar virusin vdekjeprurës.
Vaksinën e parë të kompanisë Pfizer në bashkëpunim me BioNTech e mori Sandra Lindsey, punonjëse e kujdesit shëndetësor në vijën e parë të frontit në luftën kundër virusit.
Lindsay është infermiere e njësisë së terapisë intensive në Qendrën Mjekësore Hebraike në zonën Long Island, të New-Yorkut që ishte epiqendër e hershme e shpërthimit të COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.
Vaksinimi u përshëndet me duartrokitje në një transmetim të drejtpërdrejtë, ku ishte i pranishëm virtualisht edhe guvernatori i New-Yorkut, Andrew Cuomo.
“Nuk ndjej ndonjë gjë ndryshe nga marrja e një vaksine tjetër”, tha Lindsay. “Ndjehem me shpresë sot, e lehtësuar. Më duket sikur ka filluar shërimi. Shpresoj që kjo të shënojë fillimin e fundit të një kohe shumë të dhimbshme në historinë tonë. Dua që t’i përçoj bindjen publikut se vaksina është e sigurt”.
Pak minuta pas vaksinimit të Lindsayt, presidenti Donald Trump shkroi në Twitter: “Vaksina e Parë . Urime SHBA! Urime botë!”.
Northwell Health, sistemi më i madh shëndetësor në New-York, administron disa nga spitalet e përzgjedhura në Shtetet e Bashkuara që do të japin vaksinat e para të hënën.
Vaksina, e zhvilluar nga kompania Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech, mori miratimin për përdorim emergjent nga rregullatorët federalë të premten, pasi u provua të ishte 95% efektive në parandalimin e sëmundjes gjatë provave klinike.
2.9 milionë dozat e para filluan të transportoheshin në qendrat e shpërndarjes përreth vendit të dielën, vetëm 11 muaj pasi Shtetet e Bashkuara regjistruan prekjet e para me COVID-19.
Deri të hënën, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 16 milionë raste dhe gati 300 mijë vdekje si pasojë e COVOD-19. \ VOA