Në Shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, dita e parë e procesit mësimor ka nisur qysh në orën 08:00 pas shtyrjes shkaku i pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i kësaj shkolle Betim Sylejmani për Ekonomia Online tha se procesi mësimor në këtë shkollë ka filluar me kohë dhe sa kanë bërë të gjitha përgatitjet e parapara edhe nga Instituti.
“Po siç e dini tash ka filluar procesi mësimor prej atij parafillor e deri tek klasat e nënta. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura, tash e kemi paksa më të lehtë pasi duke njohur masat janë njëjtë sikur edhe vitin e kaluar”.
“Po mirë ishte gjithçka, sapo përfundoj ndërrimi i parë, pastaj edhe ndërrimi i dytë dhe ai i ciklit të ulët. Ne i kemi udhëzuar nxënësit dhe prindërit që t’i respektojnë masat. Edhe ne po mundohemi që të jemi sa më strikt në zbatimin e tyre”, tha ai.
Tutje ai tha se vërehet entuziazëm më i madh i nxënësve pas një pauze më të gjatë, raporton EO.
“Gjithmonë është ajo dita e parë e cila është pak më ndryshe, dhe sot u vërejt një entuziazëm më ndryshe nga ta dhe më gëzim erdhën sot. E pas tre muajve pushim dhe sot përfunduar një ndërrim pa asnjë problem”, përfundoi ai.
Kurse ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar nxënësit, mësimdhënësit e prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Nagavci përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në këtë fillim viti shkollor kur akoma po përballemi me pandeminë, angazhimi ynë për të bërë më të mirën, për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm, është i vazhdueshëm.
“Sfidat e brengat do t’i tejkalojmë bashkë, me vullnetin, kuriozitetin e energjinë për mësimnxënie e mësimdhënie”, ka shkruar Nagavci.
Përveç mësimit me prezencë janë bërë edhe përgatitjet për organizimin e mësimit online, në rast nevoje.
MASHTI, në bashkëpunim me UNICEF, ka ofruar për të gjitha shkollat mundësinë e qasjes në platformën mësimore ëëë.shkollat.org, të bazuar në teknologjinë e Microsoft, ku, përveç sistemit për menaxhimin e mësimit në distancë janë publikuar edhe video-mësimet sipas programit mësimor të klasave 1-9.
Për t’u regjistruar në platformë shkollat duhet të dërgojnë një e-mail në adresën [email protected], ndërsa së shpejti do të publikohen edhe numrat e telefonit përmes të cilave do të ofrohet përkrahja teknike për shfrytëzuesit. Shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platforma dhe aplikacione të tjera me të cilat janë akomoduar si: Google Ëorkspace for Education, eShkollori, Zoom, etj.
Prej datës 27 shtator 2021 fillon emetimi i video-mësimeve në kanalin RTK4, çdo ditë pune, prej orës 9.00-16.00, sipas orarit të përgatitur nga MASHTI: https://masht.rks-gov.net/…/orari-i-transmetimit-per…
Po këto video-mësime gjenden edhe në kanalin zyrtar të MASHTI – https://emesimi.rks-gov.net/shq/.
Video-mësimet mund të shfrytëzohen gjatë zhvillimit të mësimit online, por edhe për përforcimin e njohurive nga nxënësit që vijojnë mësimin me prezencë në shkollë.
Në vitin shkollor 2021/22 klasa e pestë punon me programe të reja, andaj video-mësimet për këtë klasë do të kufizohen vetëm në lëndët gjuhë amtare, matematikë, njeriu dhe natyra, gjuhë angleze dhe artet.