Në ndryshimet që mazhoranca propozon për t’ju bërë Kodin Penal të Shqipërisë, parashikohet që për të gjitha personat që bllokojnë rrugët të ketë një dënim nga gjobë deri në 3 vjet burg, raportojnë mediat e Tiranës.
Neni 293 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 293
Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
Vënia e pengesave ose ndalimi, me çdo mjet e mënyrë, i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”.
Si ishte neni
Sa i përket nenin 96 që më herët ka qenë mjekim i pakujdesshëm, në ndryshimet e reja, neni propozohet të quhet “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Neglizhenca në trajtimin mjekësor që shkakton vdekjen e pacientit, dënohet me burgim deri në katër vjet. Ndërkohë që në nenin aktual, është nga gjobë ose me burgim deri në 5 vjet.
Një nen i veçantë krijohet edhe për shkeljen e të drejtave të autorit, ku çdo vepër që mbrohet nga e drejta e autorit dhe që shpërndahet pa pëlqimin e tij dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet, dhe nëse bëhet në bashkëpunim ose në mënyrë t ëpërsëritur, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 197 pëson ndryshim në themel, pasi tashmë lojërat e fatit ndalohen me ligj. Organizimi i lojërave të palejuara, siç janë garat sportive apo lojërat e fatit dënohet me burgim deri në tre vjet. Ndërkohë që me Kodin aktual Penal, kur Shqipëria nuk i kishte të ndaluara me ligj lojërat, Kodi penal parashikonte gjoba, ose me burgim deri në dy vjet në rast të përcaktimit të rezultateve në garat sportive apo shtrembërim të konkurrencës në këto aktivitete.
Ndërsa më herët vepër penale konsiderohej vetëm ndotja e ajrit, në ndryshimet që propozojnë deputetët e mazhorancës, dënim me burg do të ketë edhe për ndotjen e tokës. Neni 201 ndryshon thuajse totalisht, ku dënimi maksimal nëse nga kjo vepër penale shkaktohet vdekja e një ose disa personave dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet. Me kodin e vjetër, dënimi është deri në 10 vjet.