Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të hënën mbrëma ka mbërritur kontingjenti prej 208 mijë vaksinave kineze Sinovac.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin të pranishëm në aeroport, ku deklaruan se deri tash janë më shumë 700 mijë vaksina që kanë mbërritur në Shqipëri.
“208 mijë vaksina sapo kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e autorizuar të vaksinës. Tashmë kemi përfunduar gjithë lëvrimin e kësaj kontrate, duke siguruar në total për këtë kontratë 500 mijë doza vaksine dhe në tërësi sot në Shqipëri, nga moment i parë i fillimit të procesit të lëvrimit të vaksinave të kontraktuara nga qeveria shqiptare, kemi më shumë se 700 mijë vaksina që kanë mbërritur në territorin e Shqipërisë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se në mbrëmje gjithashtu pritet të vijnë edhe mbi 8 mijë doza të tjera nga kontrata me Pfizerin.
“Sot pritet të vijnë doza të tjera vaksine nga kontrata me Pfizerin, do të jenë 8.190 doza që mbërrijnë mbrëmjen e sotme dhe do të vijojmë ashtu sikurse e kemi thënë të intensifikojmë procesin e vaksinimit dhe të kemi sipas objektivit tonë, 500 mijë vaksinime deri në maj, dhe të vaksinojmë çdo qytetar shqiptar brenda pranverës së vitit tjetër”, tha Manastirliu.
Që prej fillimit të vaksinimit në Shqipëri, janë administruar në total 333,330 doza të vaksinës kundër COVID-19. \ atsh