Në mesin e muajit shtator do të përzgjidhet kompania angleze, e cila do të mbikëqyrë përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike në Kosovë.
Kështu i kanë konfirmuar gazetës “Zëri” zyrtarë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, një ditë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me Kuvendin e Kosovës, që i dedikohet fuqizimit dhe pavarësimit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve dhe agjencive të pavarura në vend.
Merita Salihu, zyrtare për informim në këtë Ambasadë, po ashtu ka thënë për “Zërin” se ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë buxheti për kompaninë fituese, pasi që, sipas tyre, një gjë e tillë nuk dihet deri në seleksionimin përfundimtar.
“E kemi të pamundur të japim një shifër gjersa procesi tenderues të jetë kompletuar dhe kompania të përzgjidhet”, ka thënë ajo.
Zyrtarë të Ambasadës britanike kanë shtuar se qëllimi i projektit është të forcojë qeverisjen e mirë, transparencën dhe llogaridhënien në institucionet e Kosovës.