Koalicioni K10 ka mbajtur tryezën e rrumbullakët për “Pakon Bazike të Sigurimeve Shëndetësore”, në të cilën u diskutua përmbajtja e pakos bazike të sigurimeve shëndetësore të obligueshme, implementimi i së cilës është planifikuar të fillojë në janar të vitit 2017.
Arsim Çavdërbasha, nga Agjencia e Financimit të Shëndetësisë, tha se Kosova është njëra ndër shtetet e pakta, e cila ende nuk ka sigurime shëndetësore.
Por, tashmë skema e sigurimit të detyrueshëm do të nisë të implementohet nga viti i ardhshëm dhe do të përfshijë të gjithë banorët e Kosovës, edhe ata që nuk janë të punësuar.
“Është menduar që në skemën e sigurimit të detyrueshëm të përfshihen të gjithë banorët e vendit. Duke përfshirë edhe ata të cilët nuk janë të regjistruar, apo që janë me asistencë sociale. Edhe ata do të paguajnë nga 2 euro në muaj”, ka thënë Çavdërbasha.
Valbon Krasniqi, përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se kjo ministri ka pasur katër objektiva, mes të cilave dhe funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore
“Shtylla e parë që ka pasur Ministria e Shëndetësisë është rikonstruktimi i punës në këtë ministri; shtylla e dytë është formulimi i odave të profesionistëve; e treta ka të bëjë me sistemin e informimit në sektorin e shëndetësisë dhe shtylla e katërt ka të bëjë me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”.
Në këtë tryezë u tha se shëndeti i mirë seksual dhe riprodhues nënkupton mirëqenien e plotë fizike, mendore dhe sociale në të gjitha aspektet që lidhen me sistemin riprodhues.
Visare Mujko-Nimani, përfaqësuese e UNFPA-së, mori shembull qasjen e qeverisjes së presidentit amerikan në largim, Barack Obama, për sigurimet shëndetësore në Amerikë. “Në qeverisjen e tij, Obama i ka dhënë rëndësi sigurimeve për shëndetin riprodhues”, tha ajo.
Në Kosovë, Ligji për Shëndetin Riprodhues rregullon organizimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimtarive që zhvillohen në fushën e këtij shëndeti dhe mbron të drejtat riprodhuese të individit dhe të çifteve që përfshihen në shëndet riprodhues.