RrGK dhe UNFPA lansojnë raportin analitik “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”

Prishtinë | 21 Sht 2021 | 16:45 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Më 21 shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA), kanë lansuar online raportin analitik “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”.

Ky raport pasqyron shkallën në të cilën Kosova ka harmonizuar kornizën ligjore me Direktivën e Bashkimit Evropian (BE) për Balancën Punë-Jetë, e cila ka hyrë në fuqi më 1 gusht 2019. Kjo direktivë ka implikime të rëndësishme për Kosovën, drejt aftësimit të prindërve, gra dhe burra, për të kaluar kohë me fëmijët e tyre, si dhe për t’u kujdesur për anëtarët e tjerë të familjes, siç janë personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe të sëmurët.

Harmonizimi i duhur i kësaj direktive me ligjet e Kosovës gjatë procesit të anëtarësimit në BE mund të kontribuojë dukshëm në përmirësimin e pjesëmarrjes së ulët të grave në fuqinë punëtore në Kosovë, duke ditur se vetëm dy në dhjetë gra aktualisht janë të punësuara. Po ashtu, kjo do të ofrojë mundësi edhe për baballarët që të kenë rol më të madh në jetën e fëmijëve dhe të dashurve të tyre, e gjithë kjo drejt transformimit të roleve dhe marrëdhënieve tradicionale gjinore për një shoqëri më të barabartë.

Lansimi i këtij raporti bëri bashkë një grup ekspertësh të cilët diskutuan mbi mundësinë e zbatimit të rekomandimeve në Kosovë, veçanërisht në lidhje me rishikimet e vazhdueshme të Ligjit të Punës.

Leunora Ahmeti-Zylfijaj, Udhëheqëse e Divizionit për marrëdhënie në punë, dialog social, sigurinë dhe shëndetin në punë tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka treguar më shumë rreth procesit të hartimit të Ligjit të Punës, ndryshimet në të dhe përfshirjen e Direktivës për balancën punë-jetë.

“Sa i përket direktivës për të cilën është bërë raporti analitik ne në atë kohë kemi qenë të rekomanduar nga ekspertët që Kosova duhet të përgatitet për një direktivë të re se në një të ardhme të afërme do të hyj në fuqi. Mund të themi që në fazën aktuale vetëm se e kemi transponuar pjesën kryesore nga direktive në Ligjin e Punës. Por, ende jemi duke punuar në ndryshimin e disa pjesëve të tij, posaçërisht në ndryshimin e kohëzgjatjes së kontratave të përkohshme,” tha Ahmeti-Zylfijaj e cila njëherësh theksoi interesimin e kësaj ministrie për të bashkëpunuar tutje me shoqërinë civile rreth finalizimit të Ligjit të Punës.

Pastaj, Syzana Bytyqi Jagxhiu, Zyrtare për Politika, Arsim, Politika Sociale dhe Punësim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka inkurajuar qeverinë që ta marrin parasysh raportin e prezantuar sot kur të punojnë sërish në Ligjin e Punës: “Mendoj që është një iniciativë shumë e mirë duke pasur parasysh situatën e grave në Kosovë. Ligji aktual implementohet vetëm në sektorin publik dhe është mirë që të merren parasysh rekomandimet dhe të futen në ligj para se të aprovohet Ligji i Punës”.

Po ashtu, Saxhide Mustafa, Koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave ka treguar se si Forumi Ekonomik i Grave po kontribuon dhe po jep rekomandimet për harmonizimin e ligjit aktual me atë të BE-së: “Duhet të bëhet një balancim i kompenzimit të lejes prindërore dhe barra të hiqet nga sektorit privat dhe të kaloj në qeveri. Qeveria po e kundërshton këtë por mendoj që me disa analiza duhet të reflektojnë në këtë realitet. Ne, duhet te kemi parasysh se kemi një fuqi punëtore dhe duhet të shohim si t’i aktivizojmë gratë në tregun e punës”.

Tutje, Era Jashari, Këshilltare për PR, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Zhvillim Shërbimesh nga Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar rëndësinë që rekomandimet e këtij raporti të specifikohen edhe në kontrata pune: “Rekomandimet duhet të specifikohen në kontrata dhe të mbrohen me ligj. Sektori privat ka nevojë për stimulime sepse sektori privat ndikohet nga çdo vendim që merret nga legjislacioni. Gjithashtu, ka ndryshuar edhe gjendja në sektorin privat dhe vërejmë ndryshime. E dimë dhe e kemi dëshmuar që Kosova ka shembuj të mirë në sektorin privat dhe ata mund të jenë shembuj suksesi”.

Ndër rekomandimet kyçe të raportit nga eksperti ligjor dhe autori David JJ Ryan, janë:
• Të rritet numri i ditëve të pushimit të atësisë (min. 10 ditë).
• Të mundësohet pushimi prindëror për të gjithë prindërit (min. 4 muaj).
• Të sigurohen normat e larta të zëvendësimit të pagave për të arritur shfrytëzimin e pushimit nga burrat.
• Të merret parasysh financimi i pushimeve që lidhen me familjen përmes një skeme të financimit kolektiv për të siguruar shpërndarje më të drejtë të kostove.
• Të zgjerohen të drejtat e barabarta tek të gjitha kategoritë e familjeve.
• Të futet e drejta për pushimin e kujdestarit (min. 5 ditë).
• Të krijohen aranzhime fleksibile të punës për prindërit dhe kujdestarët.
Panelistët diskutuan se këto ndryshime ligjore duhet të shoqërohen me ndërhyrje të tjera qeveritare, duke përfshirë veçanërisht investimet qeveritare në qendrat e kujdesit për fëmijët, parashkollorët dhe qendrat e kujdesit për të moshuarit, të cilat do të transformonin punën e papaguar aktualisht në punë të paguar dhe do të krijonin vende pune.
RrGK realizoi këtë raport me mbështetje financiare nga UNFPA përmes fondeve të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.

Të ngjashme