Në Spanjë 8 marsi shënohet me greva dhe protesta

Prishtinë | 08 Mar 2019 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Në Spanjë, mijëra gra kanë bojkotuar punën në fabrika dhe organizata tjera për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsin.

Gratë spanjolle iu bashkuan miliona grave nga mbarë bota të cilat këtë ditë e shënojnë duke kundërshtuar dhunën, pabarazinë dhe dallimin në paga.

Dy sindikatat kryesore të punës në Spanjë kanë bërë thirrje për ndërprerje 2 orëshe të punës, por grupet për mbrojtjes e të drejtave të grave thanë se greva duhet të zgjasë 24 orë.

Në dhjetra qytete të Spanjës janë paraparë të mbahen tubime për të drejtat e grave nën moton “1 mijë arsye”.

Dita e Parë Ndërkombëtare e Grave është mbajtur në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, më 19 Mars 1911, me ç’rast në tubimet ku kërkohej që femrave t’u jepej e drejta për punë, për votë dhe e drejta që të mbajë post publik, ishin tubuar më se një milion njerëz.

Në Shtetet e Bashkuara, ngjarjet kishin filluar më herët. Në vitin 1909, në harmoni me deklaratën e Partisë Socialiste të Amerikës, që atëherë ishte e popullarizuar, ishte mbajtur Dita e Grave, e para në Shtetet e Bashkuara.

Dita e Grave ka zgjatur vetëm katër vjet si festë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, që përfundoi me fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Uashingtoni e njohu Ditën Ndërkombëtare të Grave, që ka lëvizur në datën 8 Mars, vetëm pasi ajo formalisht u njoh nga Kombet e Bashkuara, në vitin 1975.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme