Drenasi mban mbledhje solemne për shënimin e, Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë, kryetari i Komunës Ramiz Lladrovci, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit të Komunës, përfaqësuese të OJQ-ve dhe qytetarë.

Mbledhjen e ka kryesuar, Gani Podrimqaku, ndërsa të pranishmëve ju drejtua me fjalë rasti për shënimin e kësaj feste, kryetari Ramiz Lladrovci, anëtarja e Kuvendit, Florentina Elezi dhe drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Shqipe Zogu.

Kryetari Lladrovci ka përgëzuar nënat, gratë e motrat që më përkushtim u vunë në shërbim të atdheut, u bënë krah i baballarëve, vëllezërve e burrave të vet, me pushkë e me pendë, në të gjitha mënyrat, për arritjen e lirisë së Kosovës, kujtojmë edhe ato gra që i mbijetuan dhunës së armikut.

“Ky përkushtim për popullin tonë, kishte rrënjët te dashuria për atdheun dhe lirinë e tij, prandaj, suksesi i kombit dhe shtetit tonë, lidhet edhe me angazhimin e grave, për të ngritur gjenerata që i dalin zot atdheut, dijes, gjuhës, kulturës e traditës kombëtare.

Përveç nënës sime, nënë Zahides dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci që kam evokuar kujtime disa herë para jush, sot kujtoj po ashtu edhe 5 motrat e mia, të cilat me mund dhe sakrificë arritën t’i shkollojnë të gjithë 20 nipa e mbesat e mia.

Sot, femrat shqiptare është e barabartë me burrat. Ajo bartë mbi supe emancipimin dhe arsimin e shoqërisë sonë, duke mos lënë anash rritjen dhe forcimin e dashurisë për shkollim e atdhedashuri të fëmijëve tanë.

Sot, kujtoj edhe ato heroina të ditëve të sotme, që çojnë lart emrin e kombit shqiptar në shkencë, politikë, art, kulturë, sport e muzikë.

Kujtojmë gratë e dalluara, si; Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Dua Lipa, Uta Ibrahimi, Ibadete Bytyqi, ambasadoret e shtetit tonë në Botë të cilat lartësojnë flamurin tonë dhe na bëjnë krenarë, dhe mijëra gra që kanë arritur të luftojnë stereotipat dhe kanë thyer tabutë e shoqërisë patriarkale.

Siç kam premtuar, në një vend siç është Drenasit arkaik, kam arritur t’ua besoj grave 50 për qind të drejtorive. Po ashtu sot, në Komunën tonë, numërojmë dhjetëra udhëheqëse, drejtoresha në shkolla.

Si rezultat i përpjekjeve tona për barazi gjinore, Drenasi është shpërblyer dhe vlerësuar me grante, si nga niveli Qeveritar, ashtu edhe nga OJQ të ndryshme vendore e ndërkombëtare.  

Të gjitha nënave, grave e motrave tona, gëzuar 8 marsi!

Kjo ditë le të na shërbej për të kujtuar, të gjitha ato gra, që me heroizmin e tyre të paparë, ngritën gjenerata të tëra, që do të vihen në shërbim të atdheut, duke na bërë krenar me qëndrimin e tyre”, ka thënë kryetari Lladrovci para të pranishmëve, ka thënë kryetari Lladrovci. 

Anëtarja e Kuvendit të Komunës, Florentina Elezi, në mes tjerash theksoi, “kemi shumë për të thënë, e për të bërë për gratë, për vajzat e këtij vendi, punë e madhe na pret për të arritur barazinë që dëshirojmë, por nuk dua të ndalem sot vetëm tek këto fakte që janë në disfavor të shoqërisë sonë, sot në këtë ditë të veçantë, dua të shpreh falënderime dhe mirënjohje pa fund, për gratë dhe vajzat, të njohura e të panjohura, të cilat me këmbënguljen e tyre, me forcën e tyre, më përkushtimin e tyre, na dhanë edhe neve forcë e vullnet për të vazhduar, e mos u dorëzuar asnjëherë.

Kjo ditë, le të jetë  ditë përkujtimi për paraardhëset tona, për luftën e madhe që bënë ato; për shkollim e emancipim të grave, për të drejtën e tyre për të zgjedhur e për tu zgjedhur politikisht, për të drejtën për të trashëguar pronë, për të zgjedh vetë profesionin e mënyrën e jetesës e shumë të drejta të tjera që për burrat merren si të mirëqena, por grave u kushtuan shumë mund për t’i fituar” ka  thënë ajo.

Ndërsa, drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Shqipe Zogu tha “pozitat vendimmarrëse kanë qenë përherë pikë e vështirë për t’u arritur nga gratë, por që fatmirësisht vërehet përmirësim në këtë drejtim. Personalisht kam nderin që sot të flas para jush, jo sepse jam grua, por sepse mbaj një pozitë drejtuese dhe për këtë gjë gjithsesi që ndaj mirënjohje të thellë për kryetarin, që jo vetëm se zbatoi ligjin për barazi gjinore dhe mbajti një premtim elektoral, por që përmes nesh vazhdon të jap shembull dhe për komunat e tjera, institucionet e tjera, se gruas duhet t’i besohen pozitat vendimmarrëse ashtu siç dhe i meritojnë. Ne të gjitha këtu që jemi e kemi më shumë se obligim ligjor të kryejmë punën tonë me përkushtim të lartë profesional e njerëzor, ngase mbi supet tona mbajmë përgjegjësin e trasimit të rrugës drejtë barazisë së plotë gjinore, për gratë që do të vijnë pas nesh”, ka thënë drejtoresha Zogu.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme