Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se në bazë të vlerësimeve profesionale të komitetit, Spitali i Vushtrrisë do t’i kthehet punës normale.
Ai ka thënë në një postim në Facebook se pacientët e konfirmuar apo të dyshuar me COVID në këtë Spital do të transportohen brenda tri ditëve në Klinikën Infektive në QKUK.
Po ashtu ka thënë se po bëhen përgatitjet e nevojshme për rifillim të punës në ambulancat specialitike në SHSKUK.
“Nga 664 testime sa janë bërë brenda 24 orëve, raste pozitive janë 43 . Kjo dëshmon më së miri se me angazhimin e të gjithëve në përgjithësi por të Ministrisë së Shëndetësisë në veçanti është duke u bërë e pamundura që virusi të menaxhohet dhe assesi të merr këmbë. Ndërsa komiteti tashmë pas vlerësimeve të veta profesionale konstaton se bazuar në situatën aktuale, Spitali i Vushtrrisë duhet t’i kthehet punës normale, pacientët e shtrirë si të konfirmuar dhe të dyshuar me Covid, transportohen brenda 3 dite, gradualisht në Klinikën Infektive në QKUK. Transporti i pacientëve nga Spirali i Vushtrrisë fillon nga dita e stome. Po ashtu janë bërë edhe përgatitjet e nevojshme për rifillim të punës në ambulancat specialistike në ShSKUK”, ka shkruar Zemaj në Facebook.