Në raportin e UEFA-s lidhur me punimet që po bëhen për rinovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë, pos disa kritikave kishte edhe një lavdërim dhe një sugjerim, shkruan sot Koha Ditore.
Lavdërimi i tre zyrtarëve të UEFA-s që inspektuan stadiumin më 4 e 5 prill ishte për rregullimin e fushës së lojës, kurse sugjerimi ishte që ajo duhet të mirëmbahet: të vaditet rregullisht dhe të kositet bari sipas rregullave, që tapeti të mbetet i gjelbër. Por kjo nuk është bërë. Dhe fusha në stadiumin që po shkon drejt fundit të punimeve ka marrë pamje tjetër. Në shumë vende bari është tharë dhe ka dalë dheu.
Gazeta të mërkurën ka vizituar stadiumin e qytetit dhe ka parë që në shumicën e hapësirës së fushës bari ishte “i djegur” nga nxehtësia e ditëve të fundit, përkatësisht nga mosvaditja e rregullt.